Tregje bio në hyrje të Tiranës – Veliaj: Vetëm gjatë fundjavës fermerët të tregtojnë pa taksa
Çdo fundjavë fermerët e kryeqytetit do të mund të tregtojnë produktet e tyre në disa pika hyrëse të Tiranës pa paguar taksa. Bashkia e Tiranës do të ngrejë tregje të posaçme për shitjen e produkteve bujqësore bio . Ko nismë e cila u vjen në ndihmë fermerëve të zonës, i jep një dorë ekonomisë lokale dhe disiplinon shitjen e tyre produkteve, u bë me dije në në panairin e organizuar me gatime, prodhime dhe punime artizanale të organizuar në njësinë Baldushk.
“Do të shfrytëzojmë të gjitha hyrjet në Tiranë; nëse Dajti dhe Shëngjergji e kanë hyrjen nga Kinostudio, bashkë me njësitë 3 dhe 4 do të ngrejmë një treg për të shtunën dhe të dielën, në një vend që e cakton bashkia, që tregtarët të shesin sa të duan, pa pagesë. Nëse nga Rruga e Elbasanit e ka aksesin Baldushku, Bërzhita, Farka, Petrela, Krraba, atëherë diku në hyrje të rrugës së Elbasanit do të ngrejmë një treg, ku në fundjavë të shiten të gjitha produktet bio. Pra, edhe shesim produktet, edhe nuk shpërndahemi në çdo hyrje pallati, ku sigurisht edhe për banorët është një lloj bezdie”, shpjegoi Veliaj.
Ndërsa, Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi theksoi se modeli i ndërtuar nga Bashkia e Tiranës do të duhet që të replikohet edhe nga njësitë e tjera lokale.
“Bashkia e Tiranës ka ndërtuar një model të cilin duhet ta dëgjojnë të gjithë kryetarët e bashkive, në të gjithë Shqipërinë; duke nisur nga një produkt, nga gjeli i detit të këtij fshati, arriti ta vendosë atë shumë shpejt në qendër të vëmendjes të gjithë Shqipërisë. Kjo do të thotë të ndërtosh marketing, biznes, ekonomi. Sikur t’i kthejmë të gjitha ato në produkte që sjellin të ardhura, që shiten, të ndërtojmë tregje të reja atje ku ka mundësi, ku ka njerëz, atëherë në fshat, ditë pas ditë, do të arrijmë të ndërtojmë arsyet se pse familjet që jetojnë në fshat nuk duhet të ndihen që kanë bërë një zgjedhje të gabuar, por duhet të ndihen që kanë bërë zgjedhjen e duhur”, u shpreh ai.
Në njësinë e Baldukshkut, së shpejti, Bashkia e Tiranës do të nisë investimin për ndërtimin e qendrës së komunës, për ta kthyer në atraksion turistik.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.