Tregjet e mbyllin vitin në rritje – 2021 pritet të nisë i qetë, vendimtare zgjedhjet në Georgia
Në mbyllje të tregtisë të enjten e ardhshme, bursat do të finalizojnë një vit spektakolar, pavarësisht pandemisë së Covid-19, por analistët parashikojnë se 2021-shi do të nisë më i qetë. Tradicionalisht, janari është muaji që Wall Street vendos themelet e vitit, dhe ekziston një shprehje mes investitorëve: “siç performon janari, performon i gjithë viti”. Por, janari i vitit 2021 mund të jetë shumë sfidues, për shkak të përhapjes së pandemisë dhe ngadalësimit të ekonomisë globale. Nëse tregjet janë në rritje në 5 sesionet e para të vitit, historia ka treguar se indeksi S&P 500 ka publikuar fitime vjetore prej mesatarisht 12.5%.
Disa analistë parashikojnë një tërheqje të lehtë në tregjeve financiare në fillim të 2021, por i gjithë viti parashikohet të mbyllet në rritje. Zgjedhjet për senatin në shtetin e Xhorxhias në SHBA, që mbahen në 5 janar, do të jenë të rëndësishme për startin e vitit të ardhshëm. Nëse demokratët fitojnë dy vendet, Senati do të ndahet në mënyrë të barabartë me Republikanët. Kjo do të bëntë që zëvëndëspresidentja, Kamala Harris, të kishte votën vendimtare në Senat.
Disa analistë parashikojnë se tregu mund të përballet me një shitje masive, nëse fitojnë demokratët, pasi do të kenë votat e mjaftueshme për të kaluar rritjen e taksave, që mbështetet nga presidenti i zgjedhur, Joe Biden. Në anën tjetër, një fitore e Republikanëve, mund të shkaktojë rritje të bursave. Indeksi S&P 500 pritet ta mbyllë këtë vit në rritje me rreth 15%, por që nga niveli më i ulët vjetor të regjistruar në mars, ka fituar rreth 65% të vlerës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.