Tregjet europiane, ndryshime minimale – Investitorët presin zhvillimet në Ukrainë, Biden udhëton drejt Europës
Tregjet europiane po ndryshojnë minimalisht në sesionin e sotëm, pasi tregjet globale po vlerësojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me inflacionin dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën me 0.2%, ndërsa sektori i naftës dhe gazit realizon fitimet më të mëdha në rritje me 0.6%.
Shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell, njoftoi se banka qendrore do të veprojë ndaj inflacionit të lartë, me tregtarët që kanë vendosur baste se Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit më shpejt se parashikimet.
Gjithashtu, tregjet po monitorojnë nga afër edhe zhvillimet në Ukrainë. Presidenti amerikan, Joe Biden, do të shkojë në Bruksel ditën e sotme për të marrë pjesë në samitin emergjent të NATO-s. Më pas do të takojë liderët e G7-ës dhe do ti adresohet liderëve të bashkimit Europian.
Pritet që SHBA dhe partnerët europianë të njoftojnë sanksione të reja ndaj Rusisë. Ndër zhvillimet e tjera, inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar rezultoi në 6.2% për shkurtin, niveli më i lartë që nga viti 1992.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.