Tregjet europiane, në rritje modeste – Investitorët monitorojnë zhvillimet në Ukrainë, presin PBB në SHBA!
Tregjet europiane të aksioneve janë hapur në rritje në sesionin e sotëm, ndërkohë që investitorët po monitorojnë nga afër zhvillimet që kanë të bëjnë me Ukrainën dhe lëvizjen e radhës së Rusisë për furnizimin me gaz drejt Europës. Indeksi pan-Europian STOXX 600 është hapur në rritje me 0.3%.
Gazprom, që është kompania shtetërore ruse e gazit, njoftoi Poloninë dhe Bullgarinë se do të ndalojë furnizimet për shkak se këto vende refuzuan të paguanin gazin me rubla, një kërkesë e bërë së fundmi nga Moska zyrtare.
Ky vendim rrit ndjeshëm çmimet e gazit në Europë dhe rrëzoi euron, që po tregtohet në nivelin më të ulët në 5 vitet e fundit. Ndërkohë, edhe tregjet europiane dhe ato aziatike u mbyllën në rritje, por kujdesi ka qënë i lartë. Investitorët reaguan pozitivisht ndaj fitimeve tremujore të Meta, kompanisë mëmë të Facebook.
Njëkohësisht, investitorët po presin të dhënat mbi besimin konsumator në Eurozonë dhe Podhimin e Brendshëm Bruto në SHBA, për tremujorin e parë të këtij viti. Në tregun e naftës, bençmarkët kryesorë po qëndrojnë në rënie në sesionin e sotëm për shkak të shqetësimeve se kërkesa do të dëmtohet në Kinë nga rikthimi i karantinave, si pasojë e rritjes së infektimeve me Covid-19. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 104 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 101 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.