Tregjet europiane zgjerojnë fitimet – Investitorët presin samitin e NATO-s që zhvillohet në Bruksel
Tregjet europiane janë rritur në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët janë tërësisht të fokusuar te zhvillimet që kanë të bëjnë me Ukrainën. Në këtë linjë, gjatë ditës së sotme do të zhvillohet samiti emergjent i NATO-s, Bashkimit Europian dhe G7-ës në Bruksel. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.4%, ndërsa sektori i shërbimeve realizon fitimet më të mëdha në rritje me 1%.
Pritet që partnerët perëndimorë të njoftojnë sanksione të reja ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të bëhët pjesë e samitit të NATO-s, nëpërmjet videokonferencës. Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se liderët e vendeve të aleancës pritet të tregojnë vendosmëri dhe të rrisin numrin e trupave në kufirin lindor.
Në anën tjetër, edhe tregjet aziatike dhe ato amerikane patën ndryshime të vogla gjatë sesionit të kaluar. Në tregun e naftës, çmimet kanë vijuar rritjen me Brentin e Londrës që po tregtohet në rreth 122 dollarë për fuçi, ndërsa fitimet po kufizohen nga pritshëmritë se në treg mund të rikthehet nafta e Iranit.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.