Tregjet financiare, të kujdesshme – Investitorët presin takimin e FED, në fokus edhe OKB
Tregjet financiare globale janë gjendur nën presion gjatë sesionit të sotëm, për shkak se investitorët po presin takimin 2-ditor të Rezervës Federale, që fillon në mbrëmjen e sotme. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 është në rënie të lehtë me 0.1%, me shumicën e sektorëve në territor negativ.
Në kontinentin europian, sektori i pijeve dhe ushqimeve realizon performancën më të dobët, në rënie me rreth 0.8% pasi kompania meksikane e pijeve freskuese deklaroi se ka shitur një pjesë të biznesit të saj.
Kompania Fomento Economico Mexicano (Femsa) deklaroi se i ka shitur prodhuesit më të madh në botë të birrës, Heineken 5.24% të aksioneve. Për këtë arsye, aksionet e prodhuesit holandez të birrës ranë me rreth 3.5%.
Ndërkohë, tregjet aziatike u mbyllën në rënie, me përjashtim të indeksit të Tokyos, pavarësisht se Wall Street preku një nivel të ri rekord.
Investitorët nuk kanë preferuar të ndërmarrin risk, përpara takimit të Rezervës Federale dhe janë në pritje të sinjaleve se kur mund të vijë rritja e radhës e interesave nga banka qendrore më e madhe në botë.
Në fokus të investitorëve është edhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Një ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump sugjeroi një formatim rrënjësor të kësaj organizate, duke filluar me zvogëlimin e burokracive.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.