Tregjet kryesore gjatë pandemisë! Nga performanca e laboratoreve mjekësore dhe spitaleve private e deri te hotelet dhe tregu i makinave
Pandemia globale Covid-19 ka prekur thuajse çdo sektor të ekonomisë. Në këtë kontekst shumë tregje kanë pësuar humbje të mëdha, por nga ana tjetër ka dhe tregje që jo domosdoshmërisht kanë dalë me humbje. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar efektin e pandemisë në tregje të ndryshme, duke u përqëndruar në performancën financiare të tyre. Ky cikël analizash ka në brendësi lloje të ndryshme të tregjeve, duke nisur më sektorin shëndetësor, duke vazhduar me marketet e qendrat tregtare, e deri te tregu i hoteleve dhe ai i makinave.
Burimi i të dhënave për këto analiza është “Qendra Kombëtare e Biznesit” Gjatë pandemisë sektori shëndetësor ka luajtur një rol kyç, por si paraqitet sektori shëndetësor privat?
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar laboratoret mjekësore private si dhe spitalet private për të parë se si kanë ndryshuar të ardhurat dhe fitimet e tyre gjatë vitit 2020. Le të ndalemi në performancën e laboratorëve mjekesore private.
Laboratoret mjekësore private rritën fitimet me mbi 400%, – Analiza e bilanceve, deri në 12-fish rritje, mbi 6.6 mln euro xhiro shtesë, krahasuar me 2019-ën
Thuajse për të gjitha subjektet e marra në analizë vihet re një rritje e ndjeshme e të ardhurave dhe fitimeve. Në analizë janë marrë: “Intermedica”, “Genius Lab”, “Pegaus” dhe “Biocheck”, “Cambridge Clinical”, “Noval Diagnostics” dhe “Orion Struga”, por tre të fundit kanë mangësi në bilance si dhe xhiro apo fitime të papërfillshme, si dhe janë aktive vetëm në vitin 2020.
Nga ana tjetër, është e pamundur të analizohet performanca e laboratoreve private pjesë e spitaleve private, si “Alnet”, një prej laboratoreve më të mëdha private në vend, pjesë e rrjetit të spitaleve amerikane, laboratori i “Salus” apo “Spitalit Gjerman”, duke qenë se janë pjesë e kompanisë së madhe dhe nuk figurojnë si zë më vete në bilanc. Laboratoret e marra në analizë janë jo vetëm më të mëdhenjtë në treg, por edhe ato të liçensuara nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer testin PCR. Kemi analizuar bilancet e këtyre kompanive për vitin 2020 dhe atë 2019, të cilat do t`i shohim me hollësi në vijim.
Dy laboratorët më të mëdhenj privat në vend, sa i përket xhiros vjetore dhe fitimeve neto, me diferencë të ndjeshme me ndjekësit rezultojnë: “Intermedica” dhe “Genius lab”. Për të parën, “Intermedica” të ardhurat vjetore për vitin 2020 figurojnë në rreth 1 mld lekë, ose rreth 8 mln euro, ndërkohë që para pandemisë, në 2019-ën, kompania në fjalë raportonte, 647 mln lekë xhiro, ose rreth 5.2 milionë euro. Pra, rritja është e ndjeshme, pranë 55%, sa i përket xhiros vjetore. Për laboratorin e dytë më të madh në vend referuar xhiros vjetore ndërkohë, rritja është edhe më e lartë. “Genius lab” raporton 525 mln lekë xhiro vjetore gjatë 2020-ës, nga vetëm 85 milionë lekë në 2019-ën, pra në rritje me 5-fish, ose 515%.
Sa i përket dy laboratoreve të tjera të marra në analizë, diferenca me dy vendet e para është e ndjeshme, në terma absolutë, por edhe nominalë sa i përket ndryshimit vjetor. Kështu, “Biocheck” raporton 61.8 mln lekë të ardhura në 2020-ën, nga 34 mln lekë që raportonte në 2019-ën, në rritje me 77%. “Pegasus” ndërkohë, raporton 59 milionë lekë të ardhura, nga 55 milionë në 2019-ën, në rritje me vetëm 7.2%.
Po në rast se analizojmë fitimet neto të këtyre 4 kompanive, si qëndron situata? Sërish kemi një diferencë të ndjeshme mes dy më të mëdhave me të tjerave. Por, “Genius lab” kryeson ndaj “Intermedica” sa i përket rritjes vjetore të fitimeve, edhe pse kjo e fundit është sërish në vend të parë për fitimet neto. “Intermedica” raporton në bilancin e saj vjetor 269.5 mln lekë fitime neto gjatë 2020-ës, ose rreth 2.2 mln euro, nga vetëm 72 milionë lekë, ose 585 mijë euro në 2019-ën.
Rritja është në masën 271%. “Genius lab” është ajo që ka bërë “kapërcimin” më të madh, duke parë fitimet e saj neto më shumë se dhjetë herë më të larta se viti paraardhës. Kompania në fjalë raporton 228.8 mln lekë fitime neto gjatë 2020-ës, ose rreth 1.85 mln euro, nga vetëm 18.8 mln lekë, ose 144 mijë euro në 2019-ën. Në rastin konkret, fitimet e kompanisë janë rritur me 1182% në harkun e një viti, atë të pandemisë. Për “Pegasus” rritja e fitimeve neto raportohet pranë 78% ndërsa për “Biocheck” pranë 46.3%.
Pra, në total, gjatë 2020-ës, një vit i cili ka kaluar në masën ¾ nën pandemi, katër prej laboratoreve më të mëdha private të analizave mjekësore në vend, kanë rritur të ardhurat e tyre në masën 99.5%. Rritja në vlerë monetare fiksohet në mbi 800 milionë lekë, ose 6.6 mln euro. Ndërkohë, kanë rritur fitimet neto me më shumë se 4 herë, ose më saktë me 407%. Rikujtojmë se, në analizë nuk janë marrë laboratoret mjekësore, pjesë të spitaleve private. Gjatë pandemisë, laboratoret private janë akuzuar gjerësisht për çmimet abuzive dhe të koordinuara të tamponeve PCR, produkti kryesor i tyre gjatë pandemisë, i cili fillimisht kishte një kosto prej 12 mijë lekësh, për të zbritur më pas në 8500 lekë, dhe vetëm së fundmi pranë 6500 lekësh.
Spitalet private dalin me humbje, – Pandemia thellon “gropën”, 6 spitale me humbje 20 mln euro në 4 vitet e fundit
Një treg tjetër që lidhet me shëndetësinë janë dhe spitalet private. A kanë pësuar spitalet private të njejtën ndryshim si laboratoret në të ardhurat dhe fititmet e tyre? Spitalet e analizuara nga “Scan Intelligence Unit” janë: “Spitali Amerikan”, “Spitali Gjerman”, “Spitali Salus”, “Spitali Kontinental”, “Spitali Europian”(Villa Maria) dhe “International Hospital” ose ndryshe “Spitali Hygeia”. Si fillim le të shohim performancën financiare të këtyre spitaleve. Për vitin 2020, të ardhurat më të larta nga të gjashtë spitalet i regjistron “Spitali Amerikan” me rreth 5.9 mld lekë ose shprehur në valutë rreth 48.5 mln euro.
“Spitali Amerikan” ndiqet nga “Hygeia” sa i përket të ardhurave më të larta për vitin 2020, me 2.7 mld lekë. I fundit në renditje me të ardhurat më të ulta është “Spitali Europian” (Villa Maria) me të ardhura në rreth 176 mln lekë. Krahasuar me vitin 2019, të ardhurat e spitaleve private paraqiten me rritje. Rritjen më të madhe të të ardhurave e regjistron “Spitali Europian”, me 114%, i ndjekur nga “Spitali Gjerman’ me 45.8%. Spitali “Hygeia” regjistron rritjen më të ulët të të ardhurave për vitin 2020, krhahasuar me vitin 2019, me vetëm 4.5%.
Po në rast se analizojmë fitimet neto të këtyre gjashtë spitaleve private, si paraqiten të dhënat për vitin 2020? Nga bilancet e analizuara shohim se të gjithë spitalet kanë dalë me humbje, përveç “Spitalit Gjerman”, i cili ka regjistruar fitim për vitin 2020, edhe pse shifra paraqitet e ulët.
Fitimi i këtij spitali është 392 mijë lekë përgjatë të gjithë vitit. Po të shohim dhe paraqitjen grafike, humbjet paraqiten më të mëdha në vitin 2019 sesa gjatë vitit 2020. Vetëm “Spitali Salus” ka thelluar humbjen e tij gjatë vitit 2020, me 6.3% më shumë. Humbjen më të madhe për vitin 2020 e ka regjistruar “Spitali Europian” me 161 mln lekë, ose rreth 1.3 milionë euro. Kjo shifër ndiqet nga ajo e “Spitalit Amerikan” me humbje deri në 70 mln lekë, ose rreth 570 mijë euro.
Po nëse llogarisim totalin e fitimeve për spitalet private për katër vitet e marra në studim, si paraqitet kjo shifër? Totali i humbjes për të gjashtë spitalet private të marra bashkë, për katër vite kap shifrën e 2.5 miliardë lekë, ose e shprehur në valutë rreth 20 mln euro. Humbjen më të madhe nga të gjashtë spitalet, për katër vite bashkë e ka “Spitali Europian” me 736 mln lekë.
Le ta kalojmë fokusin e analizës të performancës së këtyre spitaleve ndër vite. Nga të dhënat del se është “Spitali Amerikan” ai që gjeneron të ardhurat më të larta se pesë spitalet e tjera të marra në studim, që nga viti 2018 deri në vitin 2020. Spitalet të cilët paraqiten me të ardhura më të ulta për këto katër vite janë: “Spitali Europian” dhe “Spitali Gjerman”.
Nga ana tjetër, po të flasim për fitimet e këtyre spitaleve, të shtrira në katër vite, vemë re se gati të gjithë spitalet private, në të gjithë vitet e marra në studim paraqiten me humbje. I vetmi që regjistron fitim, pëveç vitin 2018, është “Spitali Gjerman”. Nisur dhe nga të dhënat grafike, shohim se mes këtyre viteve, humbjen më të madhe e ka pësuar “Spitali Hygeia” në vitin 2018-të me një humbje prej 481 mln lekësh, ose 3.9 mln euro. Humbja e dytë më e lartë regjistrohet nga “Spitali Amerikan” në vitin 2017, humbje e cila prek një shifër prej 313 mln lekë.
Sa shpenzojnë shqiptarët për ndërhyrje estetike? Të paktën 3.1 mln euro në vit, sipas analizës së 5 prej klinikave më të mëdha në vend
Përtej pandemisë le ta drejtojmë fokusin e analizës në një tjetër sektor i cili lidhet me shëndetësinë.“Scan Intelligence Unit” ka analizuar klinikat estetike më të mëdha në vend. Kjo analizë është kryer për të kuptuar ndikimin e pandemisë, por njëkohësisht edhe për të kuptuar se sa shpenzojnë shqiptarët për ndërhyrje estetike dhe cila nga klinikat gjeneron më shumë të ardhura përmes të dhënave të vitit 2019. Në analizë janë marrë pesë ndër klinikat më të mëdha dhe ndër më të njohurat në Tiranë.
Theksojmë se është marrë në analizë viti 2019, për të analizuar sa më qartë dhe saktë të dhënat, duke qenë se është periudhë që nuk është prekur nga kriza të ngjashme si ajo të vitit 2020. Klinikat e marra në analizë janë klinika “KEIT”, “Da VINCI”, “Luis Medical Center”, “ENT Clinic” dhe “Dermo Life”.
Siç e paraqet dhe grafiku i mëposhtëm, i krijuar nga “Scan Intelligence Unit”, totali i të ardhurave për të pesta klinikat, për vitin 2019, arrin në 376.4 mln lekë ose e thënë në euro këto të ardhura llogariten në 3.1 mln euro. Nisur nga këto të dhëna, dalim në përfundimin se kjo është shifra minimale që shpenzojnë shqiptarët përafërisht në kirurgji plastike dhe trajtime estetike në një vit. Klinika “KEIT” është klinika e cila gjeneron të ardhurat më të larta për vitin 2019, nga të gjitha klinikat e tjera.
Vlera e të ardhurave të saj arrin në 186 mln lekë ose 1.5 mln euro. E dyta me të ardhurat më të mëdha është klinika “Da VINCI”, me një shifër për vitin 2019 deri në 65.7 mln lekë. Nga pesë klinikat e marra në studim, për vitin 2019, klinika “Dermo Life” regjistron të ardhurat më të ulta se të tjerat me 23.2 mln lekë.
Nga ana tjetër, nëse do të llogaritim fitimet e klinikave të lartpërmendura për vitin 2019, shohim se përsëri është klinika “KEIT” ajo që gjeneron më shumë fitime për vitin 2019, me gati 37.1 mln lekë ose 305 mijë euro. Klinika e dytë me fitimet më të larta është “Luis Medical Center” me 23.2 mln lekë, e ndjekur nga ETN Clinic”, “Dermo Life”, për të ardhur në vend të fundit ku renditet klinika “Da VINCI” me nivel fitimesh deri në 4.9 mln lekë.
“Scan Intelligence Unit” gjithashtu ka bërë një krahasim të të ardhurave dhe fitimit të këtyre klinikave të vitit 2020 me vitin 2019. Nga pesë klinikat e analizuara, vetëm tre prej tyre kanë paraqitur bilancin vjetor për vitin 2020. Klinika “KEIT” dhe “Demo Life” nuk e kanë paraqitur akoma pasqyrën e tyre financiare për vitin 2020 pranë “Qendrës Kombëtare të Biznesit”.
Për tre klinikat të cilat kanë të dhëna, viti 2020 ka ndikuar në të ardhurat e tyre negativisht, përveç “ENT Clinic”, e cila gjatë vitit të pandemisë i ka rritur të ardhurat me 50.1% , krahasuar me vitin 2019. “Luis Medical Center” ka patur rënie të të ardhurave me 44.1%, ndërsa klinika “Da VINCI” ka shënuar 47.6% rënie të të ardhurave.
Nga të dhënat mbi fitimet për vitin 2020 të këtyre tre klinikave, “ENT Clinic” regjistron fitimet më të larta dhe krahsuar me 2019-ën ka rritje të fitimit me 84.3%. “Da VINCI” regjistron humbje për vitin 2020 dhe kahasuar me një vit para pandemisë ka dhe rënien më të madhe më 174.6%. Po ashtu dhe “Luis Medical Centre” ka pësuar rënie të fitimit megjithëse nuk ka dalë me humbje. Kjo rënie në nivelin e fitimit për këtë klinikë regjistrohet në 92.3%.
Bilanci i supermarketeve gjatë pandemisë, – Rritën fitimet me 12% në 2020-ën, mbi 9 mln euro xhiro shtesë
Përpos analizës së ndikimit të pandemisë në sektorin e shëndetësisë një tjetër treg ku është fokusuar “Scan Intelligence Unit” janë dhe supermarketet. A kanë shpenzuar më shumë shqiptarët gjatë vitit të pandemsië në supermarkete? Si paraqiten bilancet e tyre për vitin 2020?
Analiza përfshin 9 supermarkete, të ardhurat e të cilëve llogariten mbi 100 mln lekë. Duhet theksuar se, supermarkete si “Spar Albania” dhe “Conad Albania” figurojnë në QKB me nga një numër NIPT, pra përfshijnë performancën fiskale të të gjitha degëve që kanë të shpërndara në territorin e Republikës, ndërkohë që shumë rrjete të tjera supermarketesh i kanë degët e tyre si subjekt më vete, me numër NIPT më vete.
Shembulli konkret është “BIG Market”, për të cilin ne kemi marrë në analizë vetëm degën pranë “City Park”, si një ndër më të mëdhatë në vend. Për këtë arsye, rrjetet si “Conad” dhe “Spar” figurojnë në krye të listës së të ardhurave dhe fitimeve, të cilat do t`i shohim me hollësi në vijim. Por, më me rëndësi janë ndryshimet në bilanc nga viti 2019, në 2020-ën, ku kemi jo pak surpriza.
Nga analiza e pasqyrave financiare për vitin 2020, rezulton se “Spar Albania” është supermarketi me nivelin më të lartë të të ardhurave. Rreth 6.7 mld lekë rezulton të jetë xhiro vjetore për këtë subjekt gjatë 2020-ës, duke e vendosur “Spar Albania” në vend të parë, ndër 9 të tilla që janë marrë në studim. Rritja vjetore e të ardhurave për “Spar” fiksohet në vlerat e 5.94%. “Conad” është rrjeti tjetër i supermarketeve, të ardhurat e të cilit për vitin 2020 llogariten në 3.4 mld lekë duke e renditur atë të dytin në listën e 9 supermarketeve me të ardhurat më të larta vjetore. Në krahasim me 2019-ën, të ardhurat janë rritur me rreth 17% për vitin 2020. “Big Market-City Park” dhe “EuroMarket-Korçë” janë dy supermarketet e tjerë që plotësojnë 4 vendet e para, përkatësisht 697 mln lekë të ardhura për “Big Market-City Park” dhe rreth 615 mln lekë të ardhura për “EuroMarket-Korçë”. Për vitin 2020 rritja në nivelin e të ardhurave për këto supermarkete llogaritet në 17% për “Big Market” dhe rreth 13% për “EuroMarket”.
Për nga niveli i fitimit, është “Conad Albania” që regjistron nivelin e fitimit më të lartë për vitin 2020. Rreth 250 mln lekë llogaritet fitimi për këtë supermarket. Ndonëse me të ardhura që janë sa gjysma e të ardhurave të “Spar Albania”, “Conad” ka arritur të renditet në vendin e parë të listës për nga niveli i fitimit, fitim i cili është rreth 50 mln lekë më shume se në vitin 2019. “Spar Albania” renditet i dyti, ku fitimi për vitin 2020 llogaritet në 56 mln lekë.
Pavaresisht se ky supermarket renditet I dyti për nga niveli i fitimit, pasqyrat financiare tregojnë se fitimi për vitin 2020 u ul me 6.3 mln lekë, krahasuar me 2019, ose me rreth -10.03%. Renditja vijon me “Big Market-City Park” dhe “EuroMarket-Korçë”, fitimi i të cilëve lë pas 5 supermarketet e tjera që zhvillojnë aktivitetin ekonomik brenda territorit të Shqipërisë. Fitimet neto për këto supermarkete përllogariten në 29 mln lekë për “EuroMarket-Korçë” dhe 14.3 mln lekë për “BigMarket-City Park”. Të dy supermarketet gëzojnë rritje në nivelin e fitimit krahasuar me 2019-ën, përkatësisht 70.47% për “BigMarket-City Park” dhe 92,18% për për “EuroMarket-Korçë”.
Përgjatë periudhës 4 vjeçare të marrë në studim, 4 supermarketet e përmendura më sipër, për vitin 2020 rezultojnë me nivelin më të lartë të të ardhurave. Ndërsa për nga niveli i fitimit, “Spar Albania” është supermarketi që regjistron nivelin më të ulët të fitimit në këto 4 vite. Tre supermarketet e tjera regjistrojnë nivelin e fitimit më të lartë për 4 vite gjatë 2020-ës. Rënia e fitimeve me rreth 10% për “Spar Albania” gjatë 2020-ës, në një kohë që të gjitha supermarketet e tjera kanë rritur fitimet e tyre, mund të jetë edhe rrjedhojë e masave kufizuese anti-covid, duke qenë se dy degët më të mëdha të këtij rrjeti gjenden brenda dy qendrave tregtare.
Në total, supermarketet e marra në analizë, disa prej më të mëdhenjve në vend, kanë rritur fitimet e tyre gjatë 2020-ës, vitit të pandemisë, me 12%, ose 64 mln lekë. Rritja e të ardhurave ndërkohë fiksohet pranë 11%, me 1.1 mld lekë, ose rreth 9 mln euro. Kjo xhiro shtesë vjetore i atribuohet vetëm 9 supermarketeve të marra në analizë nga “Scan Intelligence Unit”.
Biznesi i elektroshtëpiakeve/ Shqiptarët shpenzojnë 105 mln euro në vit në 4 kompanitë më të mëdha
Një tjetër treg që ndjek qendrat tregtare në këtë analizë është tregu i elektroshtëpiakeve. Për këtë treg analiza fokuohet më së shumti në vlerën që shpenzojnë shqiptarët në vit në kompanitë më të mëdha të elektroshtëpiakeve në vend.
Janë katër kompani kryesore të marra në analzië, të cilat operojnë si rrjet. Këto kompani janë “AZA electronic”, “GLOBE”, “GoTech” dhe “NEPTUN”. Së pari lë të shohim ndikimin e pandemisë në këtë treg, duke u nisur nga performanca financiare e kompanive për vitin 2020, krahasuar me vitin 2019. Për vitin 2020, “NEPTUN”, gjeneron të ardhurat më të larta, të cilat arrijnë në rreth 7 mld lekë ose e përkyer në valutë 57.8 mln euro. Në renditje ndjek “GLOBE” me 2.2 mld lekë xhiro vjetore, për vitin 2020, dhe “AZA electronic” me 2 mld lekë. I fundit në renditje pozicionohet “GoTech” me 1.5 mld lekë. Nëse do ta krahasonim me vitin 2019-të, për të parë ndikimin e pandemisë në këtë treg sa i përket të ardhurave, shohim se përveç “AZA electronic”, i cili ka pësuar rënie të të ardhurave me 1.8%, të tjerët kanë pësuar rritje. Rritjen më të madhe të të ardhurave e regjistron “GoTech” me 15.7%. Në total, përgjatë të gjithë vitit 2020, totali i të ardhurave nga këto kompani, fiksohet në rreth 12.8 miliardë Lekë, ose rreth 105 milionë euro. Pra, kaq është shuma që shqiptarët shpenzojnë në vit për elektroshtpiake dhe pajisje hi-tech në 4 rrjetet më të mëdha në vend.
Po nëse marrim fitimet neto të këtyre kompanive, si paraqiten të dhënat për vitin 2020? Nga bilancet e analizuara nga “Scan Intelligence Unit”, shihet se për vitin 2020 është “NEPTUN” kompania e elektroshtëpiakeve që llogarit fitimet më të larta, me 209 mln lekë ose 1,7 mln euro. Në renditje ndjek “GoTech” me 119 mln lekë dhe “AZA electronic” me 71 mln lekë. “GLOBE” është i fundit sa i përket fitimeve të gjeneruara për vitin 2020, me 25 mln lekë. Po të krahasojmë të dhënat e fitimeve me vitin 2019-të, shohim se “NEPTUN” dhe “GLOBE” kanë pësuar rënie të fitimit me 24.5% dhe 39.5% respektivisht. Rritje të fitimeve kanë pësuar “GoTech” dhe “AZA electronic”, ku rritjen më të madhe të fitimeve e regjistron “AZA Electronic”, me 64.7%.
“Scan Intelligence Unit” ka marrë në analizë të ardhurat dhe fitimet neto nga viti 2016 deri në vitin 2020. Nisur nga këto të dhëna është llogaritur totali i fitimeve për pesë vitet e marra në studim. Totali i fitmeve për të katër kompanitë kryesore të marra bashkë, për pesë vite, kap shifrën e 2 miliard lekëve ose e shprehur në valutë rreth 17 mln euro.
Le ta kalojmë fokusin e analizës të performancës së këtyre kompanive ndër vite. Nga të dhënat del se është “NEPTUN” ai që ka gjeneruar të ardhurat më të larta që nga viti 2016 deri në vitin 2020. “GLOBE” është i dyti në radhë me të ardhurat më të larta për pesë vitet e marra në studim, ndërsa “GoTech” është kompania me të ardhurat më të ulta të regjistruara.
Nga ana tjetër, po të flasim për fitimet e këtyre kompanive, të shtrira në pesë vite, vemë re se gati të gjitha kanë dalë me fitim, përveç “GLOBE”, që ka regjistruar humbje gjatë vitit 2016-të me 531 mijë lekë. “NEPTUN” është përsëri kompania e elektroshtëpiakeve që regjistron fitimet më të larta për të gjitha vitet ne krahasim me kompanitë e tjera. Gjithashtu, “NEPTUN”, ka arritur fitimet më të larta se të tjerët gjatë vitit 2017-të, me 339 mln lekë, ose 2.8 mln euro. Pas “NEPTUN”, dy kompanitë e tjera që regjistrojnë fitime të larta janë “GoTech” në vitin 2020 me 119 mln lekë dhe “AZA electronic” në vitin 2017 me 135 mln lekë.
Biznesi i elektroshtëpiakeve/ Shqiptarët shpenzojnë 105 mln euro në vit në 4 kompanitë më të mëdha
Biznesi i ujit të pijshëm/ Tre kompani dominojnë tregun, xhiro rreth 35 mln euro në vit dhe fitime neto në 3.3 mln euro
“Scan Intelligence Unit” ka synim që në këtë cikël analizash të kuptojë përveç të tjerave, gjithashtu dhe si performojnë kompanitë krahasuar me njëra-tjetreën. Në analizën vijuese janë marrë 8 kompani të ujit të pijshëm në treg sa i përket xhiros vjetore, por edhe fitimeve neto. Duhet theksuar se marka të njohura uji në vend nuk mund të jenë dot pjesë e analizës sonë, pasi janë pjesë e kompanive të mëdha mëmë, dhe nuk rezultojnë me NIPT më vete, siç është rasti i ujit “Glina” apo “Spring”, pjesë e “Agna Group”.
Sa i përket ujit “Selita” që operon nën emrin “Blu Imperial”, bilancet janë publike në QKB, por duke qenë se kompania ka nisur punën së fundmi, pas ndryshimit të ortakëve në vitin 2018, shifrat nuk paraqesin aspak panoramën e plotë. Në dokumentat e dorëzuara nga kjo kompani në QKB theksohet fakti se, gjatë 2020-ës, si pasojë e pandemisë, shoqëria ka tregtuar vetëm një produkt të vetëm, ujin 20 litra. Edhe për ujin “FAB” pjesë e grupit “Hysenbelliu”, shifrat nuk janë marrë në analizë pasi janë minimale. Kjo kompani raporton vetëm 1.9 milionë lekë të ardhura vitin e kaluar si dhe 322 mijë lekë fitime.
Të tetë kompanitë e marra në analizë, kanë faturuar shitje në vlerën e 3.7 miliardë lekëve gjatë vitit të kaluar, çka e përkthyer në valutë, fiksohet në rreth 30 milionë euro. Në vend të parë në renditje gjejmë ujin “Lajthiza”, me një xhiro vjetore prej 1.86 miliardë lekësh, ose rreth 15.1 milionë euro.
Në vend të dytë ndërkohë ndjek uji “Tepelena”, me 1.14 mld lekë të ardhura vjetore, ose rreth 9.3 milionë euro. Vendin e tretë ndërkohë e zë uji “Qafshtama”, me 532 milionë lekë xhiro vjetore (4.32 milionë euro). Me shifra ndjeshëm më të ulta, me një xhiro vjetore nën 100 milionë lekë ndjekin uji “Akull”, “Alpin”, “Bukaniku”, “Shpati”. Ky i fundit raporton një xhiro vjetore prej 6.2 milionë lekësh vitin e kaluar ( 50 mijë euro), duke u renditur në vend të fundit të listës. Gjatë vitit 2019 ndërkohë, të ardhurat e këtyre 8 kompanive fiksoheshin në të njëjtat niveleve, prej rreth 3.7 miliardë lekësh.
Po fitimet, në cfarë vlerash fiksohen? Të 8-ta kompanitë në total raportojnë fitime neto në shifrat e 411 milionë lekëve, ose rreth 3.4 milionë euro, referuar të dhënave për vitin 2020. Thuajse e njëjtë rezulton shifra edhe për vitin 2019. Por cilat ndër kompanitë kryeson listën sa i përket fitimeve neto?
Në vend të parë nuk gjejmë më “Lajthizën”, por “Tepelenën”, me një fitim neto prej 165.8 milionë lekësh, ose rreth 1.35 milionë euro. Në vend të dytë në terma fitimesh neto për vitin 2020 ndjek “Lajthiza”, me 123 milionë lekë, ose rreth 1 milionë euro fitime. Vendin e tretë ndërkohë e mban uji “Qafshtama”, me 114 milionë lekë ( 930 mijë euro ). Pesë kompanitë e tjera në listë ndërkohë raportojnë fitime ndjeshëm më të ulta, për një total prej vetëm 7.4 milionë lekësh, ose rreth 60 mijë euro. Kompania e vetme e cila raporton një bilanc me humbje për vitin 2020 është “Alpin”, me -3.4 milionë lekë.
Tre kompanitë e para të listës përfaqësojnë 98.2% të totalit të fitimeve të 8 kompanive, dhe 94.7% të totalit të të ardhurave, çka do të thotë se tregu është i përqëndruar te këto 3 kompani, ndër ato të marra në analizë. Rikujtojmë se si pasojë e përfshirjes nën kompanitë mëmë, ose si pasojë e hyrjes në treg rishtazi, në analizë mungon uji “Spring”, “Glina”, “Selita”. Tre kompanitë më të mëdha, xhirojnë kështu shitje neto prej 3.5 miliardë lekësh, ose rreth 29 milionë euro, si dhe 404 milionë lekë fitime neto në vit, ose rreth 3.3 milionë euro.
Pandemia “gropos” hotelet në Tiranë, – Fitimet dhe të ardhurat bien deri në 6000%
Turizmi dhe në veçanti hoteleria janë nga sektorët më të goditur nga pandemia. Rënia e shifrave të turizmit mbështëtet dhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave, por gjithashtu dhe nga Agjencia Europiane e Statistikave. Po si paraqiten fititmet e hoteleve kryesore në kryeqytet? “Scan Intelligence Unit” ka bërë pjesë të analizës së saj hotelet krysore të Tiranës.
Në analizë janë marrë 7 ndër (shtatë) hotelet më të mëdha në Tiranë si, “The PLAZA”, “MAK Albania”, “MONDIAL”, “HILTON GARDEN”, “CLASSIC Hotel”, “DORO CITY”, si dhe “GRAND Hotel”. Në analizë nuk figurojnë disa hotele të tjera të rëndësishme në kryeqytet, për shkak të problematikave në bilanc, kryesisht me mosdorëzimin e tyre. Nëse do të nisemi nga analiza e xhiros vjetore për vitin 2020, Hotel “PLAZA” regjistron nivelin më të lartë të tyre, me 387 mln lekë, ose e shprehur në euro gati 3.2 mln euro. “PLAZA” ndiqet nga hotel “MONDIAL”, me 48.4 mln lekë dhe “HILTON GARDEN” me 38 mln lekë. Të ardhurat më të ulta për vitin 2020, i regjistron “GRAND” Hotel, me gati 8.5 mln lekë. Po të analizojmë ndryshimin e xhiros vjetore, krahasuar me vitin paraardhës, të gjitha hotelet e përmendura më lartë kanë shënuar rënie në nivelin e tyre të të ardhurave. Rënien më të madhe e regjistron “HILTON GARDEN” me -83.1%, ndjekur nga “DORO CITY” me -73.5%. Rënia më e ulët shihet në të ardhurat e “CLASSIC Hotel” me -40.7%.
Nga analiza e “Scan Intelligence Unit” mbi fitimet e hoteleve të lartpërmendura, shihet se viti i pandemisë i ka nxjerrë thuajse të gjithë hotelet e marra në studim me humbje, përvec “MAK Albania”, me fitime deri në 22 mln lekë, dhe “DORO CITY” Hotel, i cili regjistron fitim minimal, në nivelin e 62.2 mijë lekëve. Këto janë dy hotelet e vetme ndër më të rëndësishmit në Tiranë që ja kanë dalë të shmangin humbjet. Humbjen më të madhe për vitin 2020 e regjistron “PLAZA” me 68.9 mln lekë, ndërkohë që gjatë vitit 2019 fitimet e saj regjistroheshin në 40.6 mln lekë dhe ishte dhe niveli më i lartë i fitimeve për 2019-ën nga të gjitha hotelet e marra në studim. Pasqyra financiare tregon se “MAK Albania” hotel, është i vetmi hotel, i cili krahasuar me vitin 2019 shënon rritje në nivelin e fitimit, me 157.8%. Duhet marrë parasysh se ky hotel është i ri në treg, pas largimit të “Sheraton” dhe marrjes së kontrollit nga “Kastrati Group”.
Këto të dhëna, mbështeten gjithashtu dhe nga raportet e “Institutit të Statistikave” mbi strukturat akomoduese. Viti i pandemisë e ka dëmtuar rëndë sektorin e hotelerisë, pasi ka rënë numri i vizitorëve, por edhe numri i netë qëndrimeve.
Në mbyllje të këtij cikli mbi analizat e tregjeve gjejmë të renditur tregun e automjeteve. “Scan Intelligence Unit” ka zhvilluar një kërkim i cili bazohet në bilancet e depozituara nga përfaqësuesit zyrtar të autorizuar për shitje dhe servis për markat përkatëse në Qëndrën Kombëtare të Biznesit. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar 14 kompani të autorizuara, duke marrë bilancet e vitit 2019 dhe 2020 për të krahasuar të ardhurat dhe fitimet, si dhe për të krijuar një “panoramë” se si këta përfaqësues zyrtar të disa prej markave më të njohura në botë të industrisë automotive kanë performuar në periudhën e marrë për studim.
Për vitin 2020, bilancet tregojnë se kompania me të ardhurat më të larta është “AutoStar Albania”, përfaqësues zyrtar dhe i autorizuar për shitjen dhe servisin e makinave të liderit gjerman “Mercedes-Benz”. Nga bilancet e depozituara në QKB, kjo kompani ka arkëtuar rreth 2.3 mld lekë ( 19 mln euro), përkundrejt 2.6 mld lekë (21 mln euro) që regjistrohej në 2019-ën, rreth 322 mln lekë me pak, ose shprehur në përqindje do të fiksohej në shifrat e 12.18% rënie të xhiros vjetore.
“Porsche Albania”, pjesë e “Porsche Holding” me seli në Salzburg të Austrisë, një nga grupet më të mëdha në industrinë e automjeteve në Europë, për vitin 2020 regjistron të ardhura që prekin vlerën e 2.14 mld lekëve (17.5 mln euro). “Porsche Albania” është distributori zyrtar për shitjen dhe servisin e markave “SKODA”, “AUDI”, “SEAT” dhe “Volksëagen”. Në krahasim me 2019-ën, të ardhurat për këtë kompani regjistrohen në rritje prej 29.7 mln lekë, që fiksohet në shifrat e 1.39%.
“Mektrin Motors”, kompania që ka të drejtat ekzkluzive për shitjen e automjeteve të markave “Jaguar”, “LandRover”, “Volvo” regjistron një nivel të ardhurash prej 1.87 mld lekë, tregojnë bilancet e depozituara në QKB nga kjo kompani për vitin 2020. Në 2019-ën të ardhurat për këtë kompani preknin vlerat e 2.29 mld lekë, duke shënuar ulje me rreth 421 mln. Kjo do të thotë se kjo kompani ka arkëtuar 18.36% më pak të ardhura se në 2019.
“Albania Motor Company”, është distributori zyrtar në Shqipëri për automjetet e markës “Ford”. Arkëtimet për këtë kompani për vitin 2020 arrijnë në 1.63 mld lekë, duke shënuar rritje në krahasim me vitin 2019 me rreth 191 mln lekë ose 11.71% më shumë mjete monetare në arka duke e cilësuar këtë kompani, bashkë me “Porsche Albania” si të vetmet kompani që kanë arritur t`i mbajnë bilancet në rritje krahasuar me vitin e kaluar.
“Top 5” plotësohet me kompaninë “CLASSIC SHPK”, që është përfaqësuesi zyrtar i markës “MITSUBISHI”. Të ardhurat nga shitja dhe servisi i makinave “MITSUBISHI” për vitin ushtrimor 2020 regjistrohen në 346 mln lekë. Krahasimi me 2019 tregon se të ardhurat janë ulur me 648 mln lekë, në rënie me 65.17%. Deri më tani, kjo është kompania që eshtë “infektuar” më shumë nga efektet e pandemisë.
“NOSHI-Opel” zotëron të drejtat ligjore për shitjen e automjeteve të markës “OPEL” dhe “CHEVROLET”. Të ardhurat për këtë distributor për vitin 2020 prekin shifrat e 295 mln lekë, kundrejt 414 mln lekë që regjistroheshin një vit më parë. Kështu, të ardhurat u tkurrën me 118 mln lekë, ose rreth 65.17%.
Lideri tjetër gjerman, “BMW”, distributori i së cilës në Shqipëri është kompania “TAG Albania” regjistron rritje në nivelin e të ardhurave me rreth 170 mln lekë, ose me rreth 97.57%. Kjo është edhe rritja më e madhe për sa i përket tregut të automjeteve.
Pjesë e 14 kompanive të marra në analizë rezulton edhe “AUTOVISION”, përfaqësuesi zyrtar i IVECO në Shqipëri, prodhuesi i automjeteve të tonazhit të rëndë. Edhe për IVECO, të ardhurat rezultojnë me ulje për vitin 2020, me rreth 10.62% në krahasim me periudhën paraardhëse, viti 2019.
Lista vijon edhe me kompani të tjera, ndërkohë që për “HYUNDAI AUTO ALBANIA, pasqyrat financiare për vitin 2020 mungojnë.
Në total, të ardhurat e 14 kompanive të marra në analizë për vitin 2020 arrijnë në shifrat e 10.1 mld lekë. Në krahasim me 2019-ën, në totalin e të ardhurave janë arkëtuar rreth 2.6 mld lekë më pak (21 mln euro). Ulja në totalin e të ardhurave për periudhën e marrë në studim prek vlerat e 20.33%
Për sa i përket fitimeve për kompanitë që zotërojnë të drejtat ligjore për shitje në tregun e automjeteve në Shqipëri, “Mektrin Motors”, i autorizuar për shitjen e automjeteve të markës “Jaguar”, “LandRover”, “Volvo” dhe “KIA” rezulton si kompania me fitimet më të larta si për vitin 2020 dhe për vitin 2019. Fitimet neto për këtë kompani në 2020-ën regjistrohen në 92.4 mln lekë (750 mijë euro), ku në 2019-ën fitimet preknin vlerën 128 mln lekë, ulje që fiksohet në vlerat e 28%.
Automjetet e tipit “Audi”, “Seat”, “Skoda” dhe “VW” , pjesë e “Porsche Albania” renditen të dytët për nga niveli i fitimit. Në 2020-ën kjo markë ka shënuar nivel fitimi prej 80 mln lekë, kundrejt 86 mln lekë të 2019-ës, tregojnë bilancet e depozituara në QKB nga kompania përkatëse. Krahasimi i dy viteve tregon ulje në nivelin e fitimit, që arrin në vlerat e 8.0%.
“ALBANIA MOTOR COMPANY”, kompania që është e autorizuar për shitjen e makinave të markës amerikane Ford, renditet në top 3-shen për nga niveli i fitimit për vitin 2020. Fitimet për markën amerikane arrijnë në 62 mln lekë. Edhe për këtë markë automjetesh, fitimet në krahasim me 2019 rezultojnë me rënie, me rreth 17.84%.
“AutoStar Albania” (Mercedes Benz) regjistron rreth 10 milionë Lekë humbje gjatë vitit 2020. Rreth 12 mln lekë janë humbjet për TAG Albania (BMË). Ndryshe nga “AutoStar Albania”, ku për vitin 2020 uli fitimet me 110%, “TAG Albania” i rriti fitimet me 15.02% pavarsisht se niveli i fitimit mbetet ende në vlera negative.
Rritja më e madhe në nivelin e fitimit është regjistruar nga “CLASSIC Sh.P.K” (Mitsubishi). Krahasimi me 2019-ën tregon se automjetet e tipit “MITSUBISHI” rritën fitimet me rreth 48%. E ndërsa “MITSUBISHI” regjistron normën më të lartë të fitimit, kompania “Tendenc 3A”, e autorizuar për shitjen e automjeteve të tipit “Renault”, “Nissan” dhe “Dacia”, regjistron normën më të ulët të fitimit, me një humnbje vjetore prej 40 milionë lekësh. Për vitin 2020 norma e fitimit për këtë kompani ra me 281% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka e vendos sërish në vend të fundit sa i përket ndryshimit vjetor.
Fitimet neto për vitin 2020 nga shitja dhe servisi i automjeteve, në total fiksohen në 231 mln lekë, nga 527 mln lekë që ishin vitin paraardhës. Të dhënat e totalit të fitimeve sinjalizojnë se fitimet ranë me 56.20% për vitin ushtrimor 2020, ose me rreth 2.4 milionë euro.
Roel Korkuti e Xhorxhina Deda/SCAN
Per te lexuar raportet e plota klikoni: http://siu.scan-tv.com/
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.