Tregjet me fitime modeste – Dollari mbështetet nga mundësia e ndërhyrjes në dhjetor
Tregjet financiare globale janë rritur lehtë gjatë sesionit të sotëm, pas përfundimit të takimit 2-ditor të Rezervës Federale. Ashtu siç pritej, Banka Qendrore më e madhe në botë nuk ndryshoi politikat monetare, por shefja e këtij institucioni, Janet Yellen, sinjalizoi se rritja e radhës e normave të interesit mund të vijë në muajit dhjetor.
Indeksi pan-Europian Stoxx 600, është në rritje me rreth 0.2%, me shumicën e sektorëve në territor pozitiv. Sektori bankar europian është performuesi më i mirë, në rritje me rreth 1.6% për shkak të lajmeve për bashkimin mes bankave në kontinent.
Sipas informacioneve të fundit, qeveria gjermane deklaroi se, është në favor të një bashkimi mes Commerzbank dhe bankës franceze, BNP Paribas.
Ndërkohë që ka pasur informacione se, edhe banka italiane Unicredit ka shprehur interes për tu bashkuar me bankën gjermane. Ndërkohë, lëndët e para janë në rënie për shkak të tërmetit të fuqishëm që goditi Meksikën.
Për tu rikthyer sërish te politikat monetare, Banka e Japonisë nuk ndryshoi normat e interesit, por mbajti një parashikim optimist për ekonominë. Ndërsa në tregun monetar, dollari amerikan është mbështetur nga mundësia që Rezerva Federale të rrisë normat e interesit në dhjetor.
Menjëherë pas njoftimit të vendimeve në mbrëmjen e së mërkurës, dollari u forcua ndjeshëm, duke bërë që euro të bjerë poshtë nivelit të 1.19 dollarëve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.