Tregjet në SHBA, jashtë kontrollit – Trump: FED është problemi i vetëm i ekonomisë amerikane
Presidenti Donald Trump fajësoi Rezervën Federale, duke e përshkruar si problemin e vetëm për ekonominë amerikane, ndërkohë që zyrtarët kryesore janë mbledhur për të diskutuar trazirat në bursa që janë shkaktuar pjesërisht nga sulmet e presidentit ndaj bankës qendrore.
Bursat amerikane e nisën javën në rënie, prej shqetësimeve për ngadalësimin ekonomik, mbylljen e qeverisë dhe raportimeve se Trump ka kërkuar dorëheqjen e guvernatorit, Jerome Powell.
Bursat amerikane kanë rënë ndjeshëm në javët e fundit dhe indeksi S&P 500 i’u afrua rënies më të madhe në përqindje për Dhjetorin që prej Depresionit të Madh.
Në një postim në Twitter, që dështoi të zbusë shqetësimet e tregjeve, presidenti republikan fajësoi bankën qendrore për trazirat ekonomike.
“I vetmi problem që ka ekonomia jonë është Rezerva Federale. Ata nuk e kuptojnë tregun, nuk kuptojnë luftën tregtare apo dollarin e fortë madje edhe mbylljet demokrate të qeverisë për kufirin”, shkroi Trump në Twitter.
Përveç kritikave për bankën në lidhje me rritjen e normave të interesit, Trump është kapur disa herë me Powell, duke thënë se nuk është i kënaqur me guvernatorin që ka zgjedhur.
Mbledhja emergjente mes rregullatorëve financiarë të SHBA dhe Thesarit dështoi të qetësojë tregjet ditën e Hënë. Të 3 indekset kryesorë në SHBA ranë me më shumë se 2% në ditën përpara pushimeve për Krishtlindje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.