|
|
| Bursat aziatike rriten në masë të kufizuar |
|
Analistët thonë se askush nuk dëshiron të marrë përsipër të parashikojë përfundimet e samitit prandaj nuk ka pozicionime të gjera të investitorëve në treg. Por ata theksojnë se situata aktuale tregon se është tërhequr risku i shitjeve masive të stoqeve për shkak të panikut prej eurozonës. Analistët thonë se çmimi i stoqeve do të përcaktojë trendin për ditët në vijim pasi një pjesë e mirë e investitorëve janë të tërhequr nga vlerat e ulëta në të cilat kanë rënë aksionet dhe shanset e larta për fitim që ato ofrojnë. Indeksi MSCI për Azinë e paqësorit pa Japoninë u rrit 0.8%. Në Japoni bençmarku Nikkei u rrit 0.35% duke dorëzuar fitimet e pjesës së parë të sesionit. Pritshmëritë e ulëta për takimin e Brukselit u shfaqën një ditë më parë pasi presidenti i këshillit të Europës Herman Van Rompuy publikoi një raport mbi integrimin më të thellë fiskal dhe bankar që parashikonte një thesar të përbashkët europian me mandatin për të emetuar bono pan europiane. Por ideja u hodh poshtë menjëherë nga kancelarja gjermane Angela Merkel e cila tha se Europa nuk do të bëjë të përbashkët barrën e borxhit “përsa kohë unë të jem gjallë”. Për tregjet qëndrimi i Gjermanisë është shumë i rëndësishëm dhe përcaktues i vendimeve të takimeve të eurozonës e për pasojë ka pak pritshmëri për rezultat në takimin e të enjtes dhe të premtes. Ky është samiti i 20 i udhëheqësve europianë që organizohet për të zgjidhur krizën që është përhapur në të gjithë europën duke nisur 3 vite më parë në Greqi. Në Korenë e jugut KOSPI u rrit 0.17%. Në Australi ASX u rrit 0.63%. Në Hong Kong treguesi HANG SENG regjistron performancën më të mirë me rritej 1.10%. Në Kinë SSEC u rrit 0.34% dhe në Tajvan TAIEX u rrit 0.62%. Në tregun monetar euro ka ndryshuar shumë pak dhe vlerësohet në 1.2500 dollarë, ndërsa monedha amerikane vlerësohet në 79.45 jen. Në tregun e metaleve të çmuara ari vlerësohet në 1 mijë e 571 dollarë për onz. Ndërsa në tregun energjetik nafta bruto amerikane për gushtin vlerësohet në 79.31 dollarë për fuçi. Përgatiti: Ermal Ngjelina |



Stoqet aziatike u rritën sesionin e sotëm, por masa e rritjes bashkë me vlerën e monedhës së përbashkët europiane ka qenë e kufizuar për shkak të bindjes së tregjeve se samiti i Brukselit në këtë javë nuk do të mundë të përfundojë me masa konkrete për zgjidhjen e krizës së borxheve të eurozonës si dhe për shkak të këmbënguljes gjermane për të mos pranuar idenë e bonove pan europiane. Dollari amerikan dorëzoi fitimet e pjesës së parë të sesionit dhe tabela e gjerë e lëndëve të para industriale paraqitet e përzier me vlera pozitive dhe vlera negative, duke u shndërruar në paraqitjen më të qartë të ngurrimit të investitorëve për tu pozicionuar përpara përfundimit të samitit 2 ditor të udhëheqësve europianë.