Tregtia e jashtme, INSTAT: Eksportet kanë rënë me afro 5.1 miliardë lekë
Eksportet kanë rënë me afro 5.1 miliardë lekë në këtë tetëmujor të vitit. Referuar publikimit më të fundit të INSTAT, në janar- gusht 2018, Shqipëria eksportoi mallra në vlerë 205.292 miliardë lekë.
Për të njëjtën periudhë të vitit 2019, mallrat drejt destinacioneve të huaja nuk kapën vlerën e më shumë se 200.146 miliardë lekëve.
Sipas të dhënave të INSTAT, grupmallrat që ndikuan në rënien e eksporteve janë ‘minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’, ‘Lëkurë dhe artikujt prej tyre’, ‘Tekstile dhe këpucë’ dhe ‘Materiale ndërtimi dhe metale’.
Zëri që ka ndjerë rënien më të theksuar në janar- gusht 2019, është ‘minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’, i cili në tetëmujorin e këtij viti ndjeu një rënie me 8.24 miliardë lekë.
Përsa i përket partnerëve tregtarë, vendet më të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, krahasuar me një vit më parë, janë: Kosova, me afro 20%, Gjermania, me afro 6%, si dhe Kina, me 7%
Nga ana tjetër, ndërsa eksportet janë ulur ndjeshëm për këtë tetëmujor 2019, nuk mund të themi të njëjtën gjë për importet, të cilat janë rritur.
Sipas INSTAT, në janar- gusht 2019 importet e mallrave arritën vlerën e 429 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje me 3.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shqipëria ka importuar më shumë ‘minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’, ‘materiale ndërtimi dhe metale’ si dhe ‘ushqim, pije, duhan’.
Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kina, afro 18%, Greqia, afro 8% dhe Turqia, afro 7%.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.