Tregtia e jashtme – Më pak deficit i ri, eksportet rriten me 19%
Eksportet shqiptare u rritën me afro 19% gjatë muajit shkurt, duke përmirësuar lehtë bilancin tregtar të vendit krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Institutit të Statistikave, deficiti tregtar u ngushtua me 8% krahasuar me shkurtin 2017.
Megjithatë, ecuria e mirë e eksporteve vetëm sa ngushtoi disi shifrat e janarit dhe për dy muajt e parë të vitit ekonomia akumuloi rreth 43 miliardë lekë deficit në këmbimet tregtare, rreth 7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për dy muajt e parë të vitit, eksportet arritën në 47.4 miliardë lekë, 21% më shumë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Edhe për vitin 2018 eksportet duket se do të udhëhiqen nga sektori i fasoneve.
Sipas Instat, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” për dy muajt e parë të vitit vazhdojnë të dominojnë strukturën e eksporteve me rreth 43% të totalit, peshë kjo e ngjashme me vitin 2017.
Grupi “materiale ndërtimi dhe metale” u shfaq në rritje, duke arritur një vlerë prej 8.7 miliardë lekësh, 58% më shumë krahasuar me dymujorin e vitit 2017.
Rritje pozitive, për momentin, vërehet edhe në eksportet e mineraleve dhe të produkteve ushqimore. Importet e mallrave vijuan rritjen edhe gjatë muajit shkurt, por me ritme më të ngadalta.
Për dy muajt e parë të vitit, importet u zgjeruan 14% me bazë vjetore. Shumica e grupmallrave rezultojnë në rritje, ndërsa në krye të importeve për nga vlera ngelet grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”.
Dominimi i mallrave kapitale në strukturën e importeve tregon se ecuria e investimeve në ekonomi duket të jetë e kënaqshme dhe në muajt e parë të këtij viti.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.