Tregtia e jashtme merr “kthesën” e madhe – Eksportet dhe importet, rritje me 10.5% dhe 5% gjatë nëntorit
Shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT) sa i përket tregtisë së mallrave tregojnë se gjatë nëntorit eksportet kanë prekur vlerën e 27 mld lekëve, në rritje me 10.5% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, dhe me 1.7% krahasuar me muajin paraardhës. Importet ndërkohë, regjistrohen gjithashtu në rritje krahasuar me një vit më parë, prej 5%, duke prekur vlerën e 56 mld lekëve. Kështu, defiçiti tregtar gjatë nëntorit fiksohet në 28 mld lekë, në rritje me 0.2% krahasuar me një vit më parë.
Rritja vjetore e eksporteve prej 10,5% gjatë nëntorit është ndikuar nga grupet:“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 4.3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.4 pikë përqindje. Ndërkohë, në uljen vjetore të eksporteve kanë ndikuar grupet:“Tekstile dhe këpucë” me -1.4 pikë përqindje,“Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0.3 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0.1 pikë përqindje.
Rritja vjetore e importeve prej 5.0% gjatë nëntorit është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi”me 2.8 pikë përqindje,“Materiale ndërtimi dhe metale” me 2.4 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan”me 2 pikë përqindje. Në krahun e kundërt kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2.9 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0.7 pikë përqindje si dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0.6 pikë përqindje.
Përgjatë 11-mujorit ndërkohë, eksportet rezultojnë në rënie me rreth 10% dhe importet me rreth 8.4%, tregojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Gjatë 2-3 muajve të fundit, tregtia e jashtme ka kapërcyer disi krizën, me muajin shtator në rritje mjaft të lehtë të vëllimeve tregtare, dhe më tetorin në rënie modeste. Nëntori duket muaji i kthesës së madhe.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.