Tregtia e Jashtme në vitin pandemik! 27 miliardë lekë më pak eksport, importi “goditet” me 7%
Në vitin 2020 eksportet e mallrave kanë rënë me afro 10%, krahasuar me vitin 2019. Raporti vjetor i Instat mbi Tregtinë e Jashtme tregon se eksportet kanë rënë me 26.8 miliardë lekë, krahasuar me periudhën janar – dhjetor 2019. Në 2019, Shqipëria ka eksportuar në total mallra me vlerë 298.7 miliardë lekë, ndërsa për po të njëjtën periudhë të vitit 2020, vlera e eksportit ra në 271.9 miliardë lekë.
Sa i takon importit, referuar shifrave të Instat, nga 649.1 miliard lekë në periudhën janar – dhjetor 2019, shifra ra në 605.2 miliardë lekë për po të njëjtën periudhë të vitit 2020. Thënë ndryshe, në vitin “e famshëm pandemik”, importi është “goditur” me afro 7%, krahasuar me vitin 2019.
Gjermania ka rezultuar si shteti me të cilin eksporti është rritur më shumë gjatë vitit 2020, me afro 13%, ndjekur nga Greqia, me 3.4% dhe nga Maqedonia e Veriut, me 3.4%. Nga ana tjetër, vendet me të cilat eksporti ka rënë më së shumti janë Italia, me afro 14%, Kosova, me 12% dhe Spanja, me 30.4%.
Sa i takon importeve, rritja më e madhe përgjatë vitit 2020 kundrejt 2019-ës, është me Greqinë, me 0.2%, Gjermaninë, me 0.3% dhe Serbinë, me 77.8%. E kundërta ka ndodhur me importet nga Italia, Turqia dhe Kina. Instat flet për një rënie me përkatësisht 7.4%, 6.2% dhe 9.5%.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.