Tregtia e jashtme vijon zgjerimin – Rriten import/eksport gjatë janarit, por eksportet drejt Kosovës “zhyten” me 15%
Të dhënat më të fundit nga tregtia e jashtme, tregojnë se janari ka konfirmuar trendin pozitiv, edhe për importet, edhe për eksportet. Edhe deficiti tregtar është ulur ndjeshëm krahasuar me muajin paraardhës, paçka se në raport më një vit më parë, mbetet 14.7% më i lartë, rrjedhojë e pandemisë. Kështu, eksportet gjatë janarit arritën vlerën e 24 mld lekëve, duke u rritur me 3.1% krahasuar me janarin e një viti më parë, dhe me 2.8% rritje krahasuar me dhjetorin e vitit 2020. Sa i përket importeve, ato arritën vlerën e 45 mld lekëve, në rritje me 8.4% në terma vjetor dhe në rënie me 26% krahasuar me muajin paraardhës, duke qenë se reflekton sezonalitetin.
Gjatë muajit Janar 2021 rritja e eksporteve prej 3,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është ndikuar nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 4,2 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me 2,2 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 1,3 pikë përqindje. Negativisht te eksportet kanë ndikuar kryesisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me 2,0 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1,7 pikë përqindje, si dhe “Prodhime druri dhe letre” me 0.7 pikë përqindje.
Sa i përket importeve ndërkohë, gjatë muajit Janar 2021 rritja prej 8,4%, krahasuar me Janarin 2020 është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 3,1 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 2,8 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 2,3 pikë përqindje. Në uljen vjetore të importeve kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me 1,1 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 0,6 pikë përqindje si dhe “Prodhimi druri dhe letre” me 0,1 pikë përqindje.
Sa i përket vendeve partnere ndërkohë, rritjen më të madhe në importe e regjistrojnë: Italia, Kina dhe Turqia, ndërsa për eksportet rritjen më të madhe e regjistrojnë: Italia, Greqia dhe Kina. Ajo që bie në sy ndërkohë është fakti se me Kosovën regjistrojmë një rënie të ndjeshme të eksporteve, prej 15% gjatë janarit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.