Tregtia e lirë në Ballkan, merren masat e para – Ikonomi: Plani koordinohet nga CEFTA
Plani për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale në Ballkan ka filluar të konkretizohet dhe tashmë janë duke u marrë hapat e parë. Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Belinda Ikonomi, koordinimi dhe monitorimi i disa fushave të caktuara të këtij plani do të bëhet nga CEFTA, organizata e marrëveshjes tregtare që përfshin Europën Qendrore.
Protokolli Shtesë 5 i CEFTA, i cili përfshin një numër veprimesh për përshpejtimin e procedurave ndërkufitare, tashmë ka kaluar në të gjitha Komisionet Parlamentare dhe pritet të miratohet nga parlamenti.
“Objektiva parësore për Administratën tonë në kuadër të këtij Protokolli janë, thjeshtimi i inspektimeve, reduktimi i formaliteteve të eksportit, shkëmbimi elektronik i të dhënave, njohja reciproke e testeve laboratorike dhe AEO-ve, zbatimi efektiv i kontrollit të riskut dhe bashkëpunimi me agjencitë e tjera që veprojnë në kufi”, tha Ikonomi, gjatë një workshopi mbi mbështetjen për lehtësimin e tregtisë mes palëve të CEFTA.
Një nga masat që do të merren është njohja reciproke e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO), pra prodhuesit, importuesit, eksportuesit, etj. që fitojnë këtë status.
Administrata Doganore Shqiptare ka krijuar një strukturë të posaçme për AEO-të dhe lehtësirat doganore. Në këtë kuadër ka nisur një fushatë sensibilizimi për nxitjen e biznesit për të aplikuar dhe përfituar nga lehtësirat doganore.
“Prioritet i Qeverisë Shqiptare është krijimi i një klime të favorshme për biznesin, të cilin e konsideron motor të zhvillimit ekonomik të vendit. Kështu që njohja reciproke e AEO-ve midis vendeve anëtare të CEFTA-s padyshim që sjell një lehtësi të madhe për Opertorët që do të përfitojnë këtë status në të gjithë rajonin”, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.