Tregtia e Shqipërisë me Rusinë! Cilat janë produktet që dominojnë listën e importeve?
Gjatë 12 muajve të fundit, Shqipëria ka importuar mallra në vlerën e 12.5 miliardë lekë nga Rusia, çka përkthehet në rreth 96 milionë euro. Ndryshe paraqitet situata me eksportet shqiptare drejt Rusisë, të cilat janë minimale, në vetëm 95 milionë lekë, ose rreth 730 mijë euro. Të dhënat e fundit dhe që i referohen muajit Shkurt të këtij viti, tregojnë se në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, importet e Shqipërisë nga Rusia janë me shumë se dyfishuar.
Por cilat janë produktet që dominojnë listën e importeve?
Drithërat janë në vend të parë, me një vlerë prej 4.2 miliardë lekësh gjatë 12 muajve të fundit, ose 33.6% e totalit.
Pavarësisht një “ngërçi” diplomatik, duket se varësia nga drithërat ruse vazhdon të jetë një çështje jo vetëm statistikore.
Gjatë Shkurtit ndërkohë, importet e drithërave janë 4-fishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në total, Shqipëria ka importuar gjatë vitit të fundit nga të gjitha vendet e botës 9.5 mld lekë drithëra, çka do të thotë se, Rusia zë 44.2% të totalit në vlerë monetare dhe 48.9% në terma vëllimi, duke mbuluar praktikisht gjysmën e importeve të drithit në vendin tonë.
Pas drithërave, ndjek kategoria e lëndëve djegëse minerale dhe vajrave minerale, me 2.88 mld lekë në 12 muajt e fundit. Në vend të tretë renditen vajrat dhe dhjamërat vegjetalë me 1.5 mld lekë. Më pas janë produktet e aluminit me 958 milionë lekë dhe plehëruesit me 800 mln lekë.
Roel Korkuti/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.