Tregtia në Kinë – Importet rriten ndjeshëm, ngadalësohet aktiviteti me Korenë e Veriut
Importet dhe eksportet e Kinës kanë treguar rritje për muajin Shtator, gjë që sinjalizon se ekonomia e dytë më e madhe në botë po vazhdon të zgjerohet me një ritëm të qëndrueshëm, pavarësisht projeksioneve për një ngadalësim në të ardhmen e afërt. Të dhënat për tregtinë në Kinë, tregojnë gjithashtu për një përmirësim të mëtejshëm të ekonomisë globale, duke qenë se kërkesa për eksporte e vendit është rritur ndjeshëm.
Importet u rritën me 18.7% në muajin Shtator me bazë vjetore, duke thyer lehtë projeksionet e analistëve për një rritje me 13.5% dhe duke kaluar nivelin prej 13.3% që ishte në Gusht. Eksportet u rritën me 8.1%, poshtë projeksioneve prej 8.8%, megjithatë, kaluan nivelin prej 5.5% që ishte në Gusht. Përsëri, importet e Kinës u nxitën prej lëndëve të para industriale, ndërkohë që aktiviteti i fabrikave dhe vrulli i sektorit të ndërtimit nuk kanë treguar shenja ngadalësimi. Çmimet më të larta të lëndëve të para kanë rritur nivelin në terma vlerorë, megjithatë edhe volumi tregoi rritje, duke theksuar kërkesën e fortë.
Suficiti tregtar i Kinës u tkurr në 28.47 miliardë dollarë, poshtë nivelit prej 42 miliardë që ishte në Gusht. Administrata e Përgjithshme e Doganave deklaroi se tregtia e jashtme e Kinës do të rritet me një normë dyshifrore këtë vit nëse kushtet vazhdojnë me këtë ritëm.
Suficiti i ndjeshëm politikisht me Shtetet e Bashkuara u rrit në një nivel rekord për muajin, në 28.08 miliardë dollarë. Kjo mund të shtojë tensionet me vendin, për shkak të komenteve të vazhdueshme të presidentit Donald Trump se bilanci tregtar mes dy vendeve dëmton ekonominë e Shteteve të Bashkuara. Të dhënat treguan gjithashtu një rënie të aktivitetit tregtar me Korenë e Veriut.
Importet nga regjimi i izoluar ranë bindshëm me 37.9% në muajin Shtator, ndërsa eksportet, me 6.7%. Kina ka rënë dakord për sanksionet e ashpra të Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut, ku i fundit u arrit në muajin Shtator pas testimit të gjashtë dhe më të madh bërthamor të vendit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.