Tregtia neto në Eurozonë – Ngadalësohet në Maj, pa u përfshirë ende tarifat e SHBA
Sufiçiti tregtar i Eurozonës për mallrat e tregtuara me pjesën tjetër të botës, është tkurrur në muajin Maj, ndërkohë që eksportet ranë dhe importet u rritën. Rezultati i muajit Maj nuk ka përfshirë vendosjen e tarifave ndaj çelikut dhe aluminit europian nga Shtetet e Bashkuara.
Zyra e Statistikave e Bashkimit Europian, Eurostat, deklaroi se blloku i valutës së përbashkët kishte një sufiçit tregtar prej 16.5 miliardë euro në Maj, krahasuar me 19.3 miliardë në të njëjtën periudhë një vit më parë. Rënia e sufiçitit erdhi prej tkurrjes së eksporteve me 0.8%, ndërkohë që importet treguan rritje me 0.7%.
Javën e kaluar, Komisioni Europian uli projeksionet për ekonominë e Eurozonës në vitin 2018, duke përmendur tensionet tregtare si arsyen kryesore për ngadalësimin. Të dhënat e përshtatura ndaj efekteve sezonalë treguan një rënie të sufiçitit në 16.9 miliardë euro nga 18 miliardë në Prill. Bilanci tregtar për të gjithë Bashkimin Europian, mbeti thuajse i pandryshuar në Maj.
Unioni ka rritur tregtinë neto me Shtetet e Bashkuara, që është partneri kryesor tregtar, në 54.8 miliardë euro në periudhën Janar-Maj 2018, krahasuar me 48.1 miliardë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pesë muajt e parë të vitit, përpara se Shtetet e Bashkuara të vendosin më 1 Qershor tarifa në importet e çelikut dhe aluminit, Bashkimi Europian ka rritur eksportet totale në Amerikë me 2.1% dhe ka ulur importet me 3.1%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.