Tregtia neto në Japoni – Eksportet rriten për të 8-in muaj radhazi, zgjerohet suficiti me SHBA
Eksportet e Japonisë u rritën për të 8-in muaj radhazi në Korrik, prej dërgesave të mëdha në SHBA dhe prej dobësimit të jenit, duke treguar se ekonomia po vazhdon të mbajë vrullin për gjysmën e dytë të vitit.
Të dhënat përforcojnë këndvështrimin e Bankës së Japonisë se ekonomia e tretë më e madhe në botë po rimëkëmbet, pasi konsumi privat po shton vrullin e ekonomisë së nxitur nga eksportet.
Importet u rritën për të 7-in muaj radhazi prej kërkesës së fortë për kompjutera dhe kamera dixhitale nga Kina, duke vënë në dukje rritjen e konsumit të brendshëm. Eksportet drejt SHBA u rritën me 11.5% në muajin Korrik me bazë vjetore, duke shënuar muajin e 6 radhazi të rritjes.
Kjo e çoi suficitin tregtar të ekonomisë së tretë më të madhe në botë me SHBA, në rritje me 9.1%, apo në 5.88 miliardë dollarë. Suficiti i Japonisë me SHBA ka qenë shënjestër e Donald Trump.
Eksportet totale të Japonisë u rritën me 13.4% në Korrik me bazë vjetore, raporton Ministria e Financave. Kjo u nxit prej dërgesave të forta të makinave në SHBA dhe kërkesës nga Kina për pajisje elektrike.
Megjithatë, rritja në volum e eksporteve ishte më modeste, në 2.6%, duke treguar se vlera është fryrë nga rënia e jenit në muajin e kaluar. Importet në total u rritën me 16.3% në Korrik me bazë vjetore, krahasuar me 15.5% rritje në Qershor.
Ekonomia e Japonisë u rrit me normën më të lartë në më shumë se 2 vite për tremujorin e dytë, prej rritjes së shpenzimeve të konsumatorëve dhe korporatave.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.