Tregtia neto në Kinë – Kërkesa e fortë globale shton eksportet e vendit, sufiçiti rritet
Kina ka publikuar të dhëna sipër projeksioneve për tregtinë, nxitur nga kërkesa e fortë globale për mallrat kinezë dhe nevoja më e madhe për materiale të ndërtimit në vend. Megjithatë, frenimi i huadhënies në Kinë mund të ndikojë te importet më vonë gjatë vitit.
Eksportet e ekonomisë së dytë më të madhe në botë u rritën me 11.3% në Qershor me bazë vjetore, ndërsa importet u zgjeruan me 17.2%, të dyja sipër vlerësimeve të analistëve.
Ndërkohë që eksportet u nxitën nga kërkesa e fortë për pajisje elektronike dhe mallrat industriale, rritja e sufiçitit tregtar, kryesisht me Shtetet e Bashkuara, do të shtojë tensionet për tregtinë.
Një rritje e tregtisë mes Kinës dhe Koresë së Veriut në gjysmën e parë të vitit, mund të shtojë gjithashtu presionet diplomatike mes Pekinit dhe Uashingtonit.
Analistët thonë se rreziqet politike mund të pengojnë vrullin e fortë të tregtisë, që ka qenë prezent në gjysmën e parë të vitit. Kina publikoi një sufiçit tregtar prej 42.77 miliardë dollarë në Qershor.
Kërkesa e Kinës për lëndë të para industriale si hekuri dhe çeliku është rritur, duke nxitur aktivitetin e fortë të ndërtimit në vend. Kina do të publikojë javën që vjen të dhënat për rritjen ekonomike në tremujorin e dytë.
Analistët presin që ekonomia e dytë më e madhe në botë të jetë ngadalësuar në 6.8%, nga 6.9% që ishte në tremujorin e parë.
Autoritetet kanë vazhduar përpjekjet e tyre për të reduktuar levën financiare të përdorur nga korporatat në vend, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin në tregje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.