Tregtia neto në Kinë – Nuk pyet për luftën tregtare. Janari thyen lehtë pritshmëritë
Kina raportoi rritje të të dhënave mbi tregtinë për muajin Janar, që thyen lehtë pritshmëritë. Treguesi pozitiv vjen ndërkohë që shqetësimet mbi luftën tregtare kanë bërë që analistët të presin një ngadalësim të madh të ekonomisë kineze.
Eksportet e denominuara në dollar për Janarin u rritën me 9.1% me bazë vjetore, ndërkohë që pritshmëritë tregonin për një tkurrje me 3.2%. Importet, ranë me 1.5%, shifër sipër projeksioneve për një rënie me 10%.
Suficiti tregtar i Kinës rezultoi në 39.2 miliardë dollarë gjatë Janarit, sipër projeksioneve prej 33.5 miliardë dollarë, megjithatë poshtë nivelit të muajit Dhjetor.
Suficiti i ndjeshëm me Shtetet e Bashkuara ra në 27.3 miliardë dollarë, nga 29.8 që qëndronte në Dhjetor. Në muajin Janar, eksportet kineze drejt SHBA ranë me 2.4%.
Pavarësisht të dhënave pozitive, analistët thonë se 2 muajt e parë duhet të trajtohen me kujdes, për shkak të shtrembërimeve të bizneseve të shkaktuara nga Viti i Ri Hënor, që nisi më 4 Shkurt.
Të dhënat e kësaj jave vijnë ndërkohë që negociatorët kinezë dhe amerikanë nisën një raund të ri të bisedimeve në Pekin, ndërkohë që dy ekonomitë më të mëdha në botë po përpiqen të arrijnë në një dakordësi.
Zyrtarët nga të dyja palët po përpiqen të përfundojnë konfliktet deri në afatin e 1 Marsit, kur tarifat amerikane ndaj 200 miliardë dollarë mallrave kinezë pritet të rritën në 25%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.