Tregtim i pasigurt – AKU bllokon 395 kg produkte bulmeti
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 395 kg produkte bulmeti, djathë të bardhë lope dhe gjizë për tregtim të pasigurt gjatë inspektimit në tregun Agroushqimor përgjatë Autostradës Tiranë-Durrës.
Trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale Tiranë së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të AKU-së kanë kryer inspektim në dy subjekte në këtë treg, ku janë marrë edhe mostra për analizim.
Pas analizimit të mostrave, djathi i bardhë në subjektin në pronësi të shtetasit me iniciale Q.E ka rezultuar me ngarkesë mikrobike Escherichia coli mbi normë. AKU ka sekuestruar 300 kg djathë të bardhë lope për tregtim të pasigurt të produkteve ushqimore në treg si dhe ka marrë masën administrative prej 300 000 lekësh.
Ndërsa, është sekuestruar 95 kg djathë i bardhë lope dhe gjizë në subjektin në pronësi të shtetasit me iniciale I.T. Edhe këto produkte kanë rezultuar me ngarkesë mikrobike E.Coli mbi normën e duhur. 300 000 lekë ishte edhe masa administrative që u mor edhe ndaj këtij subjekti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.