Tregtim i ushqimeve të pasigurta/ AKU gjobit me mbi 300 mijë lekë dy biznese në Tiranë dhe Berat
Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kryer 344 kontrolle dhe monitorime gjatë 24 orëve të fundit në garantim të sigurisë ushqimore në kuadër të Task Forcës për masat e marra kundër përhapjes së COVID-19.
- Sipas AKU gjatë kontrolleve në Tiranë është dhënë 1 masë administrative “paralajmërim” dhe një masë administrative “gjobë” për moszbatim të detyrave të lëna në vlerën e 000 lekëve.
- Në Berat është dhënë masë administrative me “gjobë” për tregtim të produkteve ushqimore të pasigurta për konsum.
- Ndërsa një subjekt me aktivitet “Import-eksport fruta perime“, Fier, nuk u pajis me certifikatë, pasi nuk plotësonte kushtet dhe standardet e kërkuara nga AKU.
- Gjatë monitorimeve në Shkodër dhe Vlorë janë bërë këshillime dhe lënë detyra ndaj subjekteve, të cilat nuk kanë pasur të plotësuara protokollet e sigurisë, si mungesën e sinjalistikës për distancimin fizik, mungesën e xhamit mbrojtës apo edhe afishim posterash.
Gjithashtu sipas njoftimit të AKU janë marrë 289 mostra produkte serash për analiza laboratorike në ISUV dhe bazuar në përgjigjet e analizave të kryera, vetëm 1 mostër “spec i kuq” ka rezultuar jokonform, me ngarkesë pesticidi. Për rastin në fjalë, Drejtoria Rajonale e AKU Berat ka marrë masën administrative gjobë me vlerë 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve të pasigurta për konsum ndaj subjektit me iniciale B. B si dhe do të vijojë mbajtja nën mbikëqyrje e këtij subjekti në vazhdim.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë të jetë i pranishëm në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.