Tregtonte mish të pavulosur – AKU bllokon thertoren ilegale në Durrës
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar sot një tjetër pikë therje ilegale në qytetin e Durrësit, e cila kryente procesin e therjes së kafshëve pa ju nënshtruar kontrollit veterinar.
Sipas AKU-së, ky subjekt gjithashtu tregtonte mish pa certifikatë veterinare dhe nuk rezultonte i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.
Shtetasi me iniciale P.K. zhvillonte aktivitetin e kundraligjshëm në katin e parë të banesës së tij, në Lagjen Spitallë. Përveç masës administrative gjobë me vlerë 200 000 lekë, AKU ka marrë edhe masën urgjente për ndërprerjen e menjëhershme të këtij aktiviteti.
Më tej AKU ka sekuestruar edhe 42 kg mish qengji, 6 kg plënc, lëkura (5 copë), thika, çengel dhe mjetet e tjera të punës që përdoreshin për therjen e kafshëve.
Ndërkohë, në vijim të aksionit për sigurinë ushqimore dhe konkretisht ndaj masave për disiplinimin e tregtimit të mishit, AKU iu bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të denoncojnë të gjitha rastet e shkeljeve, si dhe të mos blejnë në këto pika të cilat operojnë jashtë standardeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.