Tregu bankar – BKT dhe Credins rriten, bie Raiffeisen
Bankat lokale po rriten më tej gjatë vitit 2018, duke u faktorizuar akoma më shumë brenda sistemit financiar, ndërsa bankat më të mëdha me kapital nga vendet e Eurozonës po e ulin ende pjesën e tyre të tregut. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti Banka Kombëtare Tregtare dhe Credins vazhduan rritjen me ritme të larta, ndërsa Raiffeisen dhe Intesa Sanpaolo u tkurrën më tej.
Në fund të qershorit, BKT zotëronte 402 miliardë lekë aktive ose sa 27.96% e totalit të aktiveve të sistemit bankar. Në një vit, pjesa e tregut të BKT është rritur me 1 pikë përqindje. Ndërkohë, Raiffeisen dikur banka e parë më e madhe në vend, është tkurrur më shumë dhe në mesin e këtij viti zotëronte 16.38% të aseteve të tregut, nga 17.93% që kishte një vit më parë.
Pas krizës dhe forcimit të kërkesave rregullatore për kapital nga rregullatorët e Eurozonës, Raiffeisen ka nisur një proces të reduktimit të përmasave të aktivitetit të saj në Shqipëri. Credins Bank ka forcuar më shumë pozitën si banka e tretë më e madhe në ved, me një total aktivesh prej 185 miliardë lekësh, ose sa 12.91% e aktiveve të sistemit.
Në një vit, Credins e ka rritur pjesën e saj të tregut me 1.1 pikë përqindje. Me ritmet e viteve të fundit, ka shumë të ngjarë që brenda një horizonti afatmesëm Credins të arrijë të bëhet banka e dytë më e madhe në vend. Më mbrapa gjendet Intesa Sanpaolo, që mban një pjesë tregu prej 10.92%, nga 11.25% që kishte një vit më parë.
Ndër bankat e Eurozonës, të vetmet që janë rritur në 12 muajt e fundit të mbuluar nga statistikat janë Societe Generale, që ka arritur në 5.92% të tregut dhe Alpha Bank, që zotëron 5.31% të aktiveve. Megjithatë, banka franceze ka vendosur të lërë Shqipërinë dhe sapo ka zyrtarizuar marrëveshjen për shitjen e kuotave të saj te banka hungareze OTP.
Union Bank, ABI Bank dhe Fibank vazhduan të rrisin pjesën e tyre të tregut, duke u konfirmuar secila me ambicie në rritje për të marrë një peshë më të madhe brenda sektorit bankar.
Ndërkohë, në rënie janë bankat që kanë transferuar pronësinë dhe janë drejt bashkimit me blerësit e rinj. Veneto Banka, që së shpejti do të shkrihet me Intesa Sanpaolo, ra në 1.38% të tregut, nga 1.8% që mbante një vit më parë. Edhe NBG Bank, e sapo blerë nga ABI Bank, e uli pjesën e saj të tregut në 2.54%, nga 2.83% që zotëronte vitin e kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.