Tregu celular – Kryetari i AKEP në seancë dëgjimore
Kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ilir Zela, u thirr të mërkurën në një seancë dëgjimore në Komision Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Zoti Zela tha se ky institucion do të shtojë përpjekjet për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve.
Ai tha se masat e reja të propozuara nga AKEP synojnë të mbrojnë konkurrencën në tregun e komunikimeve elektronike, pas daljes nga tregu të operatorit Plus Communication.
Ai tha së shpejti bartja e numrave celularë do të bëhet brenda 24 orëve dhe rregullorja e re do t’i japë fund praktikave bllokuese të ndjekur në vitet e fundit nga operatorët. Gjithashtu, sipas tij, operatorët do të detyrohen të përmirësojnë cilësinë e shërbimit në zonat më pak të populluara të vendit dhe të plotësojnë kushtet e licencave të tyre.
Pas daljes nga tregu të operatorit “Plus Communication”, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka vendosur të ndërhyjë me masa të reja rregullatore në tregun e telefonisë celulare, me qëllim shmangien e dominimit të mëtejshëm të tregut nga dy operatorët më të mëdhenj.
AKEP ka hedhur për konsultim publik propozimet për të ndryshuar tarifat me shumicë, ato që operatorët i paguajnë njëri tjetrit për kryerjen e thirrjeve drejt rrjeteve respektive.
Këto tarifa do të ulen për operatorin më të madh në treg Vodafone Albania, dhe do të rriten për operatorin me pjesë më të vogël tregu, Eagle Mobile. Gjithashtu, AKEP ka propozuar që Albtelecom të çlirohet nga detyrimi për mosdiferencim të tarifave brenda dhe jashtë rrjetit, për shkak se ky operator nuk zotëron fuqi të ndjeshme në tregun e pakicës dhe, rrjedhimisht, nuk mund të jetë subjekt rregullimi për tregun në fjalë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.