Tregu dytësor, BSH shpjegon projektin për ta zhvilluar
Jashtë sistemit bankar, Shqipëria ende nuk ka një treg të mirëfilltë të produkteve financiare. Flasim për një treg ku instrumentet të jenë vazhdimisht të tregtueshme dhe ku kërkesë-oferta t’u japë atyre një çmim sa më të drejtë dhe realist.
Bursa e licencuar këtë vit synon ta ndërtojë për herë të parë një treg të mirëfilltë të kapitalit. Por, ndërkohë, një treg dytësor mungon edhe për ato instrumente që janë të pranishëm prej vitesh, letrat e borxhit të qeverisë.
Bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare, pasi blihen në ankande, në pjesën dërrmuese mbahen nga investitorët deri në maturim. Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare po punojnë për një projekt për t’i dhënë më në fund një zhvillim tregut dytësor.
Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Monetare në Bankën e Shqipërisë, thotë se ngritja e një tregu dytësor do të sillte përfitime si për qeverinë, ashtu edhe për investitorët.
Pjesë e projektit pritet të jetë edhe ndryshimi i mënyrës së pjesëmarrjes së individëve në tregun e bonove dhe obligacioneve. Aktualisht, individët mund të marrin pjesë në ankande edhe nëpërmjet përmes sporteleve të Bankës së Shqipërisë.
Ndonëse ende nuk ka një vendim përfundimtar, pjesëmarrja direkte përmes sporteleve të Bankës Qendrore mund të eliminohet, duke e zëvendësuar me lehtësimin e pjesëmarrjes përmes bankave apo duke ofruar edhe forma të reja, si për shembull investimi direkt përmes internetit.
Ndryshime mund të ketë edhe në pjesëmarrjen e Bankës së Shqipërisë në ankande. Në të ardhmen, Banka Qendrore synon që t’i zhvendosë investimet e veta në bono kryesisht në tregun sekondar, duke ulur pjesëmarrjen direkte në ankandet e tregut primar.
Mungesa e një tregu dytësor, ka efekte frenuese edhe në tregun parësor të bonove. Kjo sjell një interes të ulët për instrumentet me maturim afatgjatë, pikërisht për shkak të vështirësisë për t’i likuiduar ato para afatit, në rast nevoje. Kjo reflektohet në pjesëmarrje më të ulët në ankande dhe, rrjedhimisht, në yield-e më të larta për këto instrumente. Zhvillimi i një tregu dytësor, me shumë të ngjarë do të ulte koston e huamarrjes afatgjatë të qeverisë shqiptare.
Zoti Gjermeni tha se, në fazën e parë të zhvillimit të vet, edhe Bursa Shqiptare e Titujve mund të japë kontribut në këtë projekt. Sipas tij, lidhja e sistemit të tregtimit të Bankës së Shqipërisë me atë të Bursës do të mundësohet brenda muajit nëntor.
Nga ky moment, teknikisht shitblerja e letrave të borxhit qeveritar mund të bëhet edhe përmes bursës.
Zhvillimi tregut dytësor vlerësohet si një nevojë e domosdoshme nga institucionet e specializuara financiare. Ekzistenca e një tregu të tillë do të shtonte mundësitë e investimit dhe do të ofronte një kanal jetik për sigurimin e likuiditetit në ekonomi.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.