Tregu i fluturimeve – 6 mujori, numri i udhëtarëve rritet me 22%
Tregu i fluturimeve të pasagjereve ka vijuar rritjen edhe gjatë muajit qershor. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për qershorin numri i pasagjerëve arriti në afro 230 mijë, 26% më shumë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Për gjashtë muajt e parë të vitit 1.12 milionë pasagjerë kanë përdorur transportin ajror për të hyrë ose dalë nga Shqipëria. Numri i udhëtarëve është në rritje me 22% dhe po i drejtohet rritjes për të gjashtin vit radhazi.
Për vitin 2016, numri i udhëtarëve që përdorën Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ishte afro 2.2 milionë, në rritje vjetore me 8%. Aeroporti i Tiranës është ndër përfituesit kryesor të rritjes së numrit të pasagjerëve, ndikuar në një masë të madhe edhe nga rritja e numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri.
Për gjashtëmujorin, numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri u rrit me 10%, ndërsa daljet e shqiptarëve jashtë vendit u rritën me 3.7%. Rritja e vazhdueshme e numrit të pasagjerëve dëshmon se tregu i fluturimeve ka potenciale të rëndësishme të rritjes, e megjithatë Shqipëria ende nuk po arrin të përdorë një aeroport të dytë ndërkombëtar, veç atij të Tiranës.
Një aeroport i dytë do të ishte veçanërisht i rëndësishëm për uljen e kostove të operatorëve dhe mundësimin e fluturimeve low cost. Aktualisht, në Aeroportin e Tiranës operojnë 20 kompani ajrore, që për katër muajt e parë të këtij viti kryen rreth 10700 fluturime.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.