Tregu i fluturimeve – Rritet për tetin vit radhazi në 2019
Tregu i fluturimeve ajrore në Shqipëri numëroi 3.3 milionë pasagjerë vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, tregu i fluturimeve u rrit për të tetin vit radhazi. Nga viti 2018, numri i pasagjerëve u shtua me më shumë se 13%.
Tregu i fluturimeve po nxitet sidomos nga zgjerimi i turizmit. Të dhënat e publikuara nga Instat javën e kaluar treguan se numri i vizitorëve të huaj për vitin e kaluar arriti shifrën rekord prej 6.4 milionë. Por, edhe numri i vizitave të shqiptarëve jashtë vendit u rrit sërish për vitin 2019 dhe arriti në 5.9 milionë.
Potencialet e tregut të fluturimeve janë të qarta prej vitesh dhe shtrojnë nevojën për zgjerimin e alternativave të fluturimeve ndërkombëtare edhe në aeroporte të tjerë.
Sipas të dhënave më të fundit, në Shqipëri operojnë 17 kompani, që kryen gjithsej rreth 29 mijë fluturime gjatë vitit të kaluar. Por, kostot e operimit në Aeroportin e Tiranës janë të larta, çka reflektohet në çmimet e biletave dhe e bën pothuajse të pamundur operimin e fluturimeve të mirëfillta low cost.
Të gjitha përpjekjet për t’i ulur kostot e operimit kanë dështuar. Nga ana tjetër, hapja e një aeroporti të dytë për fluturime ndërkombëtare duket ende e largët.
Në fillim të vitit të kaluar, Aeroporti i Kukësit iu dha me koncesion një konsorciumi privat, por, në rastin më të mirë, ky aeroport mund të jetë funksional duke filluar nga viti i ardhshëm.
Qeveria ka shpallur gjithashtu projektin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe ka shpallur një tender ndërkombëtar për përzgjedhjen e operatorit që do ta ndërtojë. Nuk dihet ende se kur do të mbyllet procesi dhe kur mund të nisin punimet.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.