Tregu i pronave – 72% e blerjeve financohen me kredi
72% e blerjeve në tregun e pasurive të paluajtshme financohen me kredi bankare. Sipas vrojtimit të kryer nga Banka e Shqipërisë për ecurinë e tregut të pronave në gjysmën e parë të këtij viti, vërehet se numri i pronave të blera me kredi është rritur krahasuar me nivelin 68% të gjysmës së dytë të vitit të kaluar.
Ulja e ndjeshme e normave të interesit dhe fokusi në rritje i bankave drejt këtij produkti ka sjellë një rritje të financimeve me kredi bankare në dy vitet e fundit.
Vlerësimi i situatës në tregun e pasurive të paluajtshme bëhet përmes vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 agjentë imobiliarë dhe shoqëri ndërtimi, të cilët përfaqësojnë rreth 80% të tregut për nga madhësia e aktivitetit.
Edhe në gjysmën e parë të këtij viti vrojtimi ka dhënë një tablo mikse për sa i takon gjendjes së tregut. Shumica e agjentëve të anketuar e kanë vlerësuar në përkeqësim gjendjen e tregut të pasurive të paluajtshme krahasuar me vitin e kaluar. Por, megjithatë, numri i subjekteve që kanë raportuar shitje është në rritje të ndjeshme me 22% në raport me të njëjtën periudhë.
Ndërkohë, sipas agjentëve çmimet mesatare të shitjes paraqiten në rënie. Për Tiranën, çmimet raportohen në rënie me 16.7% ndaj gjashtëmujorit të dytë 2016, ndërsa për të gjithë vendin ato janë në rënie me 7%.
Sidoqoftë, një tregues që dëshmon për përmirësimin e tregut është koha mesatare e shitjes së pronës. Sipas vrojtimit, një agjenti ose një firme ndërtimi i duhen mesatarisht 10 muaj për ta shitur një pronë.
Kjo kohëzgjatje është në rënie të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, kur shitja e një prone kërkonte mesatarisht më shumë se një vit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.