Tregu i pronave në Greqi – Nis rritja e çmimeve. Interesohen investitorët jashtë vendit
Tregu i pronave të paluajtshme në Greqi ka treguar shenja të rimëkëmbjes, pas një dekade të trendit negativ, ku çmimet kanë rënë me mbi 35%. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Greqisë, çmimet e të gjithë kategorive të pronave janë rritur së fundmi. Në tremujorin e tretë, çmimet e shtëpive u rritën me 2.5% me bazë vjetore dhe rritja më e madhe u regjistrua në Athinë, me 3.7%. Lejet e reja të ndërtimit janë rritur gjithashtu, me një normë të akumuluar prej 15% në dy vitet e fundit.
Institucioni ka zhvilluar një sondazh drejt 200 agjencive të pronave të paluajtshme, për të matur intensitetin e interesit për investime. Mbi 90% të tregut ndërmjetës ka pranuar rritjen e interesit, duke e ndarë atë në 2 kategori: investitorë aktiv që janë të gatshëm për investime direkte dhe investitorë të kujdesshëm, që kanë një qasje më të matur.
Në total, 40% e interesit për investime vjen nga jashtë vendit. Tremujori i tretë, përfshin edhe periudhën e daljes së Greqisë nga programi i ndihmave ndërkombëtare. Sipas të dhënave të institutit të Statistikave në vend, ELSTAT, ekonomia greke po vazhdon rimëkëmbjen dhe u rrit me 2.2% në tremujorin e tretë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.