Tregu i punës, në krizë të paprecedentë. ILO, OKB dhe OBSH, thirrje për një qasje gjithëpërfshirëse globale
Liderët globalë bëjnë thirrje për një qasje më gjithëpërfshirëse për të përballuar impaktin e pandemisë së koronavirusit. Shefi i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Guy Ryder, deklaroi se Covid-19 e ka zhytur punësimin global në një krizë të paprecedentë. “Të jemi të qartë, nuk është një zgjedhje mes shëndetit dhe vendeve të punës apo ekonomisë. Ato janë të ndërlidhura. Ne, ose fitojmë në të gjitha frontet ose dështojmë në të gjitha frontet,” u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjatë samitit të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe i është adresuar dhjetëra liderëve të shteteve dhe qeverive.
Ndërsa kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Adhanom Ghebreyesus u shpreh gjatë samitit se bota tashmë ka një detyrë të veçantë, për të mbrojtur miliona punonjës të kujdesit shëndetësor, të cilët janë në vijën e parë të përballjes me Covid-19. “Të gjithë se bashku kemi detyrën për t’i mbrojtur ata që po na mbrojnë ne,” deklaroi kreu i OBSH-së.
Perspektiva për tregun global të punës në gjysmën e dytë të këtij viti është shumë e paqartë dhe parashikimet për rimëkëmbjen ekonomike sugjerojnë se tregu i punës do të ketë shumë të vështirë të rikthehet në nivelet e parakrizës, gjatë këtij viti, paralajmëron Organizata Ndërkombëtare e Punës.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.