Tregu i shërbimeve postare ra me 4% për vitin e kaluar
Tregu i shërbimeve postare në vend pësoi rënie për vitin 2018. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të ardhurat financiare në tregun postar ishin rreth 2,1 miliardë lekë, 4% më pak në krahasim me vitin 2017.
Pjesën më të madhe në këtë treg e zotëron Posta Shqiptare me një total të ardhurash 1.4 miliardë lekë ose rreth 66% të totalit. Ofruesit e tjerë të shërbimeve postare kanë realizuar së bashku të ardhura totale për rreth 735 milionë lekë. Në këtë treg veprojnë gjithsej 15 operatorë, të cilët raportojnë rreth 1 mijë zyra postare të shtrira në të gjithë vendin.
Shërbimi postar shqiptar përpunoi vitin e kaluar rreth 25.4 milionë objekte, me një rritje vjetore modeste me 2.2%. Për nga numri i objekteve postare, Posta Shqiptare vazhdon të ruajë pozicionin e saj dominues me 92% të tregut, kundrejt 8% që zënë ofruesit e tjerë të shërbimeve postare.
AKEP vlerëson se problemi lidhur me saktësinë e adresave në Shqipëri është një faktor përkeqësues i cilësisë së ofrimit të shërbimeve postare. Çështja e adresave rrit kostot e ofruesve të shërbimeve për shpërndarjen e pakove postare, por ndikon edhe në shërbimet e gjithë sektorëve të tjerë të ekonomisë, përfshirë shërbimet e ofruara nga sektori publik.
Ky problem është evident dhe në sistemin gjyqësor, që në disa raste ka paraqitur dhe ankesa në AKEP për mosdorëzim të njoftimeve palëve për shkak të problemit të adresave jo të sakta. Të gjitha këto në fund rezultojnë në kosto ekstra për qytetarët shqiptarë.
Sipas AKEP, kjo ndikon gjithashtu negativisht edhe në tregtinë elektronike, pasi qytetarët që përdorin këto shërbime janë të detyruar të mbajnë radhë dhe shpenzojnë kohë në sportele për të marrë produktet e porositura. Aktualisht, Posta Shqiptare nuk i dorëzon pakot në adresën e marrësit, por personi duhet të paraqitet vetë pranë zyrave postare për t’i tërhequr.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.