Tregu i sigurimeve/ Rritet me 187% mbulimi me rezerva për pagesën e dëmeve!
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përditësuar të dhënat mbi tregun vendas të sigurimeve sipas së cilit gjatë periudhës 2011-2021, rezulton se tregu i sigurimeve ka rritur me 187% nivelin e provigjoneve, të cilat janë rezerva të nevojshme për të shlyer në kohë detyrimet. Këto rezerva mbahen nga shoqëritë e sigurimit për pagesën pa vonesa të dëmeve ndaj personave të siguruar.
Referuar të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare rezulton se treguesi i provigjoneve teknike në nivel tregu ka patur trend rritës, kjo edhe për shkak të kërkesave rregullatore të AMF në drejtim të shoqërive të sigurimit dhe rritja e provigjoneve në këtë dekadë ka qenë më e ndjeshme edhe se rritja e tregut në përgjithësi, ku primet e shkruara bruto për periudhën 2011-2021 rezulton të jenë rritur me 131%.
Sipas informacionit të publikuar në vitin 2011, niveli i provigjoneve ishte rreth 7.6 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2021 rezulton rreth 22 miliardë lekë dhe rritja më e konsiderueshme e provigjoneve u shënua në vitin 2019, kjo edhe si kërkesë e Autoritetit për të rritur me rreth 33% provigjonet si pasojë e ngjarjeve të tërmetit. ‘Provigjonet shënuan rënie vetëm në vitin 2020, i cili ishte vit atipik, si pasojë e pagesës së pjesës më të madhe të dëmeve të tërmetit përgjatë kësaj periudhe (rreth 3 miliardë lekë për portofolin e pronës), por edhe si pasojë e rënies në përgjithësi e numrit të dëmeve si pasojë e pandemisë.’
Sipas njoftimit në vitin 2021, provigjonet i janë kthyer trendit rritës ku në 31.12.2021, rezulton se vlera e mbulimit me rezerva të nevojshme për pagesën e dëmeve ka arritur në rreth 22 miliardë lekë, me një rritje prej 4.5%, ose 1 miliardë lekë më shumë sesa në fund të vitit 2020. ‘Rritja më e ndjeshme është vënë re në aktivitetin e Jo-Jetës, me rreth 740 milionë lekë, ose 3.9%, ndërkohë që rritje ka patur edhe për shoqëritë që ushtrojnë aktivitetin në klasat e Jetës, me rreth 205 milionë lekë, ose 10.1%. ‘
AMF bën me dije se mbulimi me provigjone është një nga elementët kyç të performancës së shoqërive të sigurimit, nën monitorim të vazhdueshëm nga ana e Autoritetit dhe përmirësimi në vijimësi i treguesit të provigjoneve për shoqëritë e sigurimit është vlerësuar si një element sigurie në menaxhimin e riskut, në raportin e Bankës Botëror të publikuar në vitin 2020 “Vlerësimi i financimit të dëmeve nga katastrofat”.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.