Tregu i sigurimeve – Trefishohet mbulimi me rezerva në dekadën e fundit
Tregu i sigurimeve përgjatë 10 viteve të fundit ka trefishuar mbulimin me rezerva të nevojshme për të shlyer në kohë detyrimet. Këto rezerva mbahen nga shoqëritë e sigurimit për pagesën pa vonesa të dëmeve ndaj të siguruarve. Duke analizuar ecurinë e treguesit të provigjoneve teknike në nivel tregu, për periudhën 2011-2020, rezulton se trendi i krijimit dhe mbajtjes së provigjoneve (rezervave) është në rritje.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kërkuar në vazhdimësi rritjen e treguesit të provigjoneve teknike nga ana e shoqërive të sigurimit. Në vitin 2010, niveli i provigjoneve ishte rreth 7.6 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2020 ka arritur në afro 21 miliardë lekë. Rritja më e madhe e këtij treguesi, me afro 30% është shënuar përgjatë dy viteve të fundit. Kjo, duke marrë në konsideratë edhe rënien e provigjoneve në vitin 2020, kryesisht si pasojë e pagesës së pjesës më të madhe të dëmeve të tërmeteve, të cilat ishin provigjonuar nga shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës në fund të vitit 2019 si rezerva për shlyerjen e detyrimeve ndaj të siguruarve.
Gjithashtu, përmirësim të konsiderueshëm, sidomos në periudhën 2018-2020, ka patur në raportin provigjone/prime të shkruara bruto, i cili shpreh rezervat e tregut për pagesën e dëmeve në raport me përgjegjësitë që kanë marrë përsipër shoqëritë e sigurimit përmes primeve të nënshkruara. Ky raport ka arritur në 126.4% në fund të vitit 2020, duke shënuar po ashtu rritje me afro 30%, duke qenë se në vitin 2018 ishte 97%. Banka Botërore në një raport të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar “Vlerësimi i financimit të dëmeve nga katastrofat” evidentoi përmirësimin e treguesit të provigjoneve për shoqëritë e sigurimit si një element sigurie në menaxhimin e riskut.
SCAN
Provigjonet Teknike Bruto | |
Tregu | |
31.12.2011 | 7,6 |
31.12.2012 | 8,3 |
31.12.2013 | 9,1 |
31.12.2014 | 11,1 |
31.12.2015 | 14,0 |
31.12.2016 | 15,5 |
31.12.2017 | 15,8 |
31.12.2018 | 16,4 |
31.12.2019 | 22,1 |
31.12.2020 | 21,0 |
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.