Tregu i sigurimeve – U rrit me 8.3% për 4-mujorin 2019
Tregu i sigurimeve u rrit me 8.3% për katër muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kompanitë siguruan prime të shkruara bruto në vlerën e 5.3 miliardë lekëve ose rreth 43 milionë eurove.
Tregu është rritur më shumë në segmentin e jetës, me mbi 16%, ndërsa primet e sigurimit të jo-jetës u zgjeruan me afërsisht 7% krahasuar me katër-mujorin e parë të vitit të kaluar. Deri tani, tregu po shfaq ritme rritjeje disi më të mira krahasuar me vitin 2018, megjithatë struktura e tregut nuk ka risi të mëdha dhe industria mbështetet kryesisht te sigurimet që, qoftë në mënyrë direkte ose të tërthortë, janë të detyrueshme.
Në tregun e jo-jetës, sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta përbëjnë 64% të primeve totale. Ndërsa në sigurimin e jetës gjysma e primeve vijnë nga sigurimi i jetës së debitorit, një produkt që kërkohet nga bankat dhe institucionet financiare, kryesisht për kreditë afatgjata.
Dëmet për këtë vit po rriten me ritme më të ulëta krahasuar me primet. Në katër muaj, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 1.9 miliardë lekë dëme, 6.7% më shumë krahasuar me vitin 2018. Mbi 96% e dëmeve paguhen në sigurimin e jo-jetës, duke përfshirë këtu edhe pagesat e kryera përmes Fondit të Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Raporti mes dëmeve dhe primeve ka rënë lehtë në 36.6%, nga 37.1% që kishte qenë vitin e kaluar.
Ky raport në dy vitet e fundit është rritur dhe një ndikim të konsiderueshëm ka pasur shlyerja e detyrimeve të prapambetura të Fondit të Kompensimit. Ky fond mbulon dëmet që shkaktohen nga mjetet e pasiguruara. Mosfunksionimi i tij në kohë kishte bërë që prej vitit 2002 të akumuloheshin dëme në dhjetëra miliona euro. Vetëm vitin e kaluar u arrit të bëhej shlyerja e pjesës më të madhe të këtyre detyrimeve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.