Tregu i sigurimeve, viti 2017 nis me rritjen 26.5%
Tregu i sigurimeve e nisi në rritje vitin 2017. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për muajin janar volumi i primeve të shkruara bruto u rrit me 26.5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Tregu vazhdon të mbështetet kryesisht në segmentin e jo-jetës dhe më veçanërisht në sigurimet e detyrueshme motorrike, që zënë mbi 62% të vlerë totale të primeve të arkëtuara. Klasat e sigurimeve motorrike u rritën me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por, ndërkohë, një efekt pozitiv në rritjen e tregut, të paktën për një muaj, patën edhe sigurimet vullnetare. Primet e sigurimit nga zjarri dhe forcat e tjera të natyrës u rritën me 185% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Megjithatë, duke pasur parasysh përmasat e vogla të tregut, kjo rritje me shumë të ngjarë lidhet me kontrata të veçanta sigurimi në vlerë të lartë me klientë biznes dhe është vështirë të interpretohet si një tendencë e mirëfilltë rritjeje të këtij produkti.
Në krahun tjetër, dëmet kanë regjistruar një rritje vjetore me 11%. Rritja e dëmeve të paguara në dy muajt e parë të këtij viti ka ardhur kryesisht nga sigurimet e pronës dhe nga sigurimi kasko i automjeteve, ndërkohë që sigurimet e detyrueshme motorrike vazhdojnë të dominojnë strukturën e dëmeve, me mbi 45% të totalit.
Raporti mes dëmeve dhe primeve zbriti në 22.3%, nga rreth 25.5% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke mbetur në nivele shumë të ulëta krahasuar me vendet e tjerë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.