Tregu informal “zhvlerëson” vajin e ullirit – Raporti/ Femerët u detyruan të shisnin nën kosto
Aksesi në treg për vajin e ullirit është një shqetësim kryesor gjatë periudhës së mbiprodhimit. Në disa pjesë të Shqipërisë, mbiprodhimi bëri që fermerët të shesin këtë produkt me 350-400 lekë/litër gjatë sezonit të fundit të prodhimit (2020-21), gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën. Sipas një studimi të bërë për këtë sektor nga Ministria e Bujqësisë dhe GIZ, del në pah se përpunuesit e vajit të ullirit duhet të përballen nga njëra anë me konkurrencën e vajit të ullirit të shitur “joformalisht” nga fermerët dhe nga ana tjetër, importin me çmim shumë të lirë.
Përveç faktit që çmimet e vajit të ullirit kanë rënë edhe për vajin ekstra të virgjër, ekziston shqetësimi se një pjesë e këtij produkti që vjen në Shqipëri është i lirë, jo ekstra i virgjër, por ende i ambalazhuar dhe shitet si vaj ulliri vendas. Raporti evidenton se përpunuesit shqiptarë me cilësi të lartë mbështeten kryesisht në shitjet direkte të familjeve, duke pasur zakonisht klientë “besnikë”.
Eksportet janë të ulëta dhe sporadike. Ndërsa shumica e përpunuesve të vajit të ullirit nuk shesin asnjë litër vaj, por thjeshtë shërbejnë si ofrues shërbimesh. Sipas të dhënave zyrtyare, prodhimi i vajit të ullirit është rritur ndjeshëm, duke tejkaluar 20,000 ton që nga viti 2017, ndërsa në vitin 2018 ishte pothuajse trefishi i nivelit të prodhimit në krahasim me vitin 2010. Megjithatë ka një mospërputhje midis të dhënave që lidhen me prodhimin e ullirit dhe atyre që lidhen me vajin e ullirit.
Ky boshllëk mund të tregojë se sasia e vajit të ullirit të prodhuar mund të jetë 20% më e ulët ose sasia reale e prodhimit të ullirit mund të jetë më e lartë, që nënkupton nevojën për të rishikuar statistikat. Sipas statistikave zyrtare, numri i përpunuesve që prodhojnë vaj vegjetal (kryesisht ulliri) është 193. Por numri është shumë më i madh, duke pasur parasysh se ka shumë operatorë informalë. Vlerësimet për numrin e përpunuesve të vajit të ullirit që janë në funksion variojnë nga 300 deri në 450.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.