Tregu i kapitalit, mundësia e artë e zhvillimit
Ndonëse prej 27 vitesh zyrtarisht Shqipëria është një vend me ekonomi tregu, sërish shterpësia në disa degë të ekonomisë vijon të zgjatet. Shumë është folur për aksione të vazhdueshme kundër informalitetit, por edhe për zhvillimin e tregut sekondar.
Si në çdo ekonomi të zhvilluar informaliteti ekziston por jo në këto përmasa dhe ai nuk mund të luftohet vetëm me aksione të herë pas hershme. Zhvillimi tregut dytësor vlerësohet si një nevojë e domosdoshme nga institucionet e specializuara financiare. Ekzistenca e një tregu të tillë do të shtonte mundësitë e investimit dhe do të ofronte një kanal jetik për sigurimin e likuiditetit në ekonomi.
Aktualisht, krahas tregtimit të letrave me vlerë dhe obligacioneve të qeverisë, prej disa vitesh po funksionon ende në përmasa modeste edhe fondet e pensioneve private apo fondet e investimeve. Në Shqipëri ka ekzistuar formalisht një bursë shtetërore. Themi formalisht pasi në të gjithë harkun kohor prej rreth 12 vitesh në të nuk u listua asnjë kompani, duke e detyruar qeverinë që të mbyllë këtë institucion. Dhe Shqipëria është i vetmi vend në rajon (përveç Kosovës) dhe më gjerë në Europë që nuk ka një bursë aksionesh.
Në kushtet e shtrëngimit të kreditimit gjatë periudhës së krizës biznesi ka shtuar kërkesat për të siguruar financime me instrumente alternative përmes titujve të borxhit, si obligacionet apo dëftesat tregtare.
Ndërkohë, tregu kërkon alternativa me kthim më të lartë investimi, pasi politika monetare stimuluese që po mbizotëron gjithë ekonominë europiane i ka ulur interesat e depozitave dhe titujve qeveritarë në minimumet historike. Në mungesë të një burse, shumë individë kanë ndërmarrë investime në bursat online, duke punuar me ndërmjetës që jo gjithmonë kanë rezultuar të besueshëm.
Krijimi i bursës do të rregullonte këto iniciativa, që po veprojnë në një treg, duke mbrojtur individët dhe bizneset që investojnë në këto agjenci. Pak muaj më parë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka licencuar të parën bursë private në Shqipëri “Bursa shqiptare e titujve – ALSE”, që pritet më në fund të plotësojë boshllëkun e një tregu kapitalesh në ekonomi. Në fillim në këtë institucion do të tregtohen titujt qeveritarë, pasi aktualisht në Shqipëri është funksional vetëm institucioni hipotekues i titujve të qeverisë. Ndërsa për titujt e tjerë si; aksionet, obligacionet e korporatave, letrat tregtare që emeton biznesi, apo obligacionet bashkiake, nuk janë ende të regjistruara në një depozitar titujsh. Por, një proces shumë i rëndësishëm lidhur me tregun e kapitaleve, mbetet edhe edukimi i publikut.
Aktualisht, Shqipëria ka një sistem financiar të zhvilluar asimetrikisht, me një sistem bankar të zhvilluar dhe një sektor jo-bankar shumë të nënzhvilluar, ku hallka më e rëndësishme është tregu i munguar i kapitalit. Aksesi i menjëhershëm në kapital do i bënte kompanitë shqiptare më konkurruese, më të adaptueshme ndaj nevojave të tregut, do rriste mundësitë për inovacion dhe rritje të produktivitetit, duke mundësuar fitime më të larta dhe punësim më të madh.
Gjithashtu, listimi në bursën e titujve do të thoshte më shumë transparencë për kompanitë dhe rrjedhimisht ulje të nivelit të informalitetit në ekonomi, që aktualisht është në një shkallë ende të lartë. Por, përfitime, krahas kompanive, mund të kenë edhe individët. Ata që duan të blejnë tituj e shohin si alternativë investimin në bursë për të maksimizuar fitimet e tyre nga kursimet.
Në rast se deri tani individët i kishin të kufizuara alternativat për investimin e kursimeve të tyre, së afërmi do të kenë një gamë më të gjerë alternativash. Më pas është investitori që do të zgjedhë se në cilën alternativë do të përfshihet. Tregu i kapitalit u ofron këtyre investitorëve mundësi të reja për të fituar më shumë nëse janë të kujdesshëm dhe zgjedhin produkte financiare me risk të moderuar apo skema ndërmjetësimi financiar më të sigurta siç janë fondet e pensioneve private apo fondet e investimeve.
Ndërkohë, konsolidimi i tregut kapital do i ofronte vendit më shumë mundësi ndaj tregjeve globale dhe rritjen e besimit të tregut europian, aq më shumë në këtë periudhë kur Shqipëria është në pritje të hapjes së negociatave për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Dhe pikërisht, ky zhvillim do e afronte vendin tonë më shumë me familjen e madhe europiane, të paktën me konsolidimin e një tregu të kapitalit.
Dorian Koça/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.