“Tregu mediatik i punës, informal” – Publikohet raporti, Çipa: 40% e punonjësve deklarohen me paga joreale
40% e mediave audiovizive i deklarojnë pjesërisht pagat e punonjësve, ndërkohë që 60% e gazetarëve nuk kanë kontratë individuale të përditësuar pune”. Këto janë disa prej përfundimeve në të cilat ka arritur raporti “Krijimi i një raporti panoramik për tregun mediatik të punës në Shqipëri”, i realizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Prezantimi i raportit u bë nga kreu i Unionit, Aleksandër Çipa, i cili tha se edhe pagesat për orët shtesë të punës apo ditët e pushimit, nuk zbatohen detyrimet që parashikon Kodi i Punës, ndërkohë që vonesat në pagesa janë një fenomen që vazhdon të haset shpesh në mediat shqiptare.
Çipa tha se masat e ndërmarr nga Inspektorati Shtetëror i Punës janë sporadike, ndërsa kërkoi që organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore të rrisin presionin ndaj pronarëve të medias për zbatimin e të drejtave në vendin e punës.
Sipas Çipës, një masë që do të shërbente në këtë drejtim është edhe publikimi i pasqyrave për kontrollet në media, çka do të rriste përgjegjësinë e pronarëve dhe do ta trajtonte median si një treg të vërtetë dhe formal. Hulumtimi përfshiu 5970 punonjës të medias, nga të cilët ishin 1760 gazetarë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.