Tregu në “bollëk” – Interesat e bonove bien përsëri
Tregu financiar duket të jetë mjaft likuid në këtë fillim viti. Kjo po sjell kërkesë të lartë për instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare dhe ulje të interesave të tyre. Në ankandin e të martës, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar 2.34%. Interesat shënuan rënie për të pestin ankand radhazi dhe kanë zbritur në nivele të përafërta me mesin e vitit të kaluar. Një tendencë të ngjashme po ndjekin edhe obligacionet dyvjeçare. Në ankandin e javës së kaluar, interesi zbriti në 2.98%, në rënie për të katërtin muaj radhazi.
Rënia e interesave shpjegohet qartë me raportin mes kërkesës dhe ofertës në tregun e borxhit të qeverisë. Në ankandin e të martës, kërkesat arritën vlerën e 11.6 miliardë lekëve, ndërsa shuma e shpallur për financim nga qeveria ishte 8.2 miliardë lekë. Bankat, që janë financuesi kryesor i borxhit të brendshëm qeveritar, duket se po tentojnë të investojnë më shumë në instrumentet e borxhit qeveritar. Kjo ndodh sepse tregu ka likuiditete të bollshëm, por edhe sepse kreditimi i sektorit privat ende po rritet me ritme të ngadaltë.
Në muajt e parë të këtij viti edhe likuiditeti i injektuar në treg nga Banka e Shqipërisë ka qenë në vlera të larta. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mars të këtij viti vlera e huasë për sektorin bankar, përmes marrëveshjeve të riblerjes, arriti në 42 miliardë lekë, afro 60% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ulja e interesave të bonove të thesarit ndihmon vazhdimësinë e periudhës me interesa të ulëta në ekonomi, duke përmbushur qëllimin e politikës monetare stimuluese të Bankës Qendrore. Për sa kohë interesat e bonove qëndrojnë të ulëta, gjasat janë që edhe kreditë në monedhën vendase të vazhdojnë të jenë të lira, duke e favorizuar konsumin dhe investimet e reja në ekonomi.
Ersuin Shehu/SCAN
Burimi: Banka e Shqipërisë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.