Tregu i punës në Francë – Krijimi i vendeve të reja në nivelin e 2007-ës, kryesisht në shërbime
Ekonomia franceze ka shtuar më shumë se 50,000 vende pune në sektorin privat gjatë tremujorit të fundit të 2017-ës, ndërkohë që rritja e punësimit është rikthyer në nivelet që ka qenë përpara krizës financiare.
Duke marrë nxitje nga normat e ulëta të interesit, rimëkëmbja globale dhe besimi i përmirësuar i bizneseve, ekonomia franceze është rimëkëmbur dhe krijimi i vendeve të punës është përshpejtuar. Thuajse 53,300 vende të reja pune janë krijuar në tremujorin e katërt, në rritje me 0.3% nga tremujori i kaluar, raporton agjencia e Statistikave INSEE.
Në 2017-ën, ekonomia ka krijuar një total prej 253,500 vende pune, në rritje me 1.3% nga viti i kaluar, ndërkohë që ekonomia ka patur performancën më të fortë që prej vitit 2011. Zyra e Statistikave bën të ditur se krijimi i vendeve të punës ka arritur nivelin e 2007-ës, përpara se kriza financiare ta çonte vendin në recesion dhe sillte përmbysjen e tregut të punës.
Megjithatë, norma e papunësisë nuk ka rënë poshtë 9%-shit në 6 vite, ndërkohë që shumë punëdhënës thonë se nuk gjejnë punëtorë me kapacitetin e duhur. Manifaktura, inxhinieria dhe teknologjia e informacionit janë ndër sektorët që kanë mungesën më të madhe të punëtorëve të kualifikuar.
Të dhënat për tremujorin e katërt treguan se krijimi i vendeve të punës ka ardhur kryesisht nga sektori dominues i shërbimeve.
Kompanitë franceze i janë përgjigjur kushteve më të favorshme të biznesit nën presidentin e ri Emmanuel Macron duke rritur punësimin dhe investimet. Ish bankieri i investimeve kërkon ta kthejë Francën në një vend të start-up-eve, duke caktuar një normë fikse tatimore prej 30% në të gjithë të ardhurat nga kapitali dhe duke ofruar gjithashtu sigurim të papunësisë për njerëzit që lënë një vend pune për të krijuar një firmë të re.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.