Tregu i sigurimeve – Rritje me 5.4% për vitin 2017
Tregu i sigurimeve e mbylli vitin 2017 me një rritje modeste prej 5.4%. Në terma të rritjes, tregu është ngadalësuar krahasuar me vitin 2016, kur primet e shkruara bruto ishin shtuar me 9.6%. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, volumi i tregut të sigurimeve në total preku vlerën e 16.2 miliardë lekëve ose rreth 121 milionë eurove.
Me një prim mesatar më pak se 42 euro për frymë, Shqipëria është ndër tregjet europiane ku njerëzit shpenzojnë më pak për t’u siguruar. Sigurimet e detyrueshme motorike edhe për vitin 2017 kishin një peshë të lartë, me afro 62% të primeve të shkruara bruto.
Sigurimet vullnetare e mbyllën vitin e kaluar me një rritje modeste të primeve, me 6.3% krahasuar me vitin 2016. Nëse përjashtojmë sigurimin e jetës, rritja e sigurimeve vullnetare ishte akoma më e ulët, me vetëm 3%. Ndonëse ende zë një peshë modeste, me se 8% të volumit të përgjithshëm të tregut, sigurimi i jetës për vitin 2017 regjistroi një rritje të primeve me 23%, rezultat ndjeshëm më i mirë krahasuar me tregun e jo-jetës.
Vitin e kaluar, kompanitë e sigurimeve paguan gjithsej rreth 5.5 miliardë lekë ose 41 milionë euro dëme, 15.8% më shumë krahasuar me vitin 2016. Mbi 55% e totalit kanë shkuar për dëme të lidhura me sigurimet motorike. Raporti mes dëmeve dhe primeve u rrit në afro 34%, nga 28% që ishte një vit më parë. Sidoqoftë, ky raport ngelet ndër më të ulëtit në Europë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.