Tregu i udhëtarëve – Transporti ajror rritet me 23%
Tregu i fluturimeve u rrit sërish për muajin tetor. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, transporti ajror u përdor nga 216 mijë pasagjerë, në rritje me 8% ndaj të njëjtit muaj të vitit të kaluar. Për 10 mujorin, nga Aeroporti i Tiranës udhëtuan 2.2 milionë pasagjerë, në rritje me 23% krahasuar me 10 mujorin e vitit 2016.
Deri në fund të muajit tetor, në Shqipëri operonin 18 shoqëri ajrore, nga 15 që ishin vitin e kaluar. Këtë vit nga Aeroporti i Tiranës janë kryer mbi 20 mijë fluturime. Ky duket të ketë potenciale të mëtejshme rritjeje, të lidhura sidomos me turizmin. Për këtë arsye, është ideuar ngritja e një aeroporti të dytë në jug të vendit, ndërkohë që aeroporti i Kukësit ngelet ende i pashfrytëzuar.
Në rritje të konsiderueshme është edhe transporti detar i pasagjerëv. Për nëntë muajt e parë të vitit, transportin ndërkombëtar detar e përdorën 1.4 milionë udhëtarë, 19% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
I vetmi treg në rënie ngelet ai i transportit hekurudhor. Sipas INSTAT, transporti hekurudhor në 10 muaj u përdor nga 62 mijë pasagjerë, 30% më pak krahasuar me një vit më parë. Ky treg prej vitesh është në rënie, për shkak numrit të pakët të linjave dhe gjendjes së amortizuar të trenave.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.