Treguesit fiskalë – 4 mujori, të ardhurat 8.6 mld lekë më shumë se 2016
Viti 2017 duket se ka nisur me një stabilitet për financat publike, edhe pse është një vit elektoral. Edhe pse nga historiku i mëparshëm në vite elektorale arka e shtetit ishte me një deficit buxhetor, krejt e kundërta po ndodh në këtë periudhë të parë të vitit. Kështu të ardhurat në buxhetin e shtetit nga administrata fiskale për 4 mujorin e parë të këtij viti rezultojnë 8.6 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale në 4 mujorin 2017 janë realizuar në masën 139.9 miliardë lekë. Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 4 mujorin 2017, u realizuan në vlerën 93.3 miliard lekë, të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 1.8 miliard lekë.
Sipas këtyre treguesve, shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e katërt të vitit 2017, arritën në rreth 128.2 miliard lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë ka rezultuar rreth 12.7 miliardë lekë më shumë. E gjithë kjo periudhë fiskale është shoqëruar me një suficit buxhetor prej afërsisht 11.6 miliardë lekë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.