Tremben investitorët – Bursat evropiane në rënie nga sulmi në Barcelonë
Bursat Evropiane janë hapur në rënie me më shumë se 1%, ndërkohë që investitorët reaguan ndaj sulmit terrorist më të keq në Spanjë në më shumë se 13 vite. Thuajse të gjithë sektorët dhe indekset kryesorë janë hapur në performancë negative, me sektorin e udhëtimeve që pati humbjet më të mëdha.
Të Enjten pasdite, një furgon hyri në zonën turistike të Barcelonës, Las Ramblas, duke përplasur kalimtarët, sulm që la 13 persona të vdekur dhe të paktën 100 të plagosur. Sulmi vdekjeprurës u ndoq nga një i dytë në Cambrils, në jug të Barcelonës, ku policia bëri të ditur se ekzekutoi 5 sulmues.
Kompanitë e transportit ajror si EasyJet, Ryanair dhe Lufthansa patën performancën më të dobët në hapje të sesionit, secila në rënie me më shumë se 2%. Ndërsa të gjithë indekset e titujve të kapitalit në Europë u hapën në rënie, IBEX 30, indeksi i Spanjës pati humbjen më të madhe duke rënë me rreth 1.5%. Si gjithmonë gjatë periudhave të panikut, investitorët iu drejtuan aktiveve të sigurta.
Jeni japonez pati rritje të fortë në sesionin e djeshëm, duke vazhduar edhe përgjatë ditës së sotme. Kundër dollarit, jeni u fuqizua në 108 për dollar, nga 110.2 që ishte përpara sulmit. Ndërkohë ari pati rritjen më të madhe, duke u ngjitur sipër 1300 dollarë për onz, nga 1280 që ishte në sesionin e djeshëm tregtar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.