“Troket” deeuroizimi – Banka e Shqipërisë miraton masat e para
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë të mërkurën hapat e parë konkrete në qëllimin e saj për uljen e euroizimit të ekonomisë. Në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës u miratua një dokument që përcakton mënyrën dhe format sesi Banka Qendrore do të kontribuojë në këtë proces, si edhe disa ndryshime në rregulloret e mbikëqyrjes bankare, që në thelb do të rrisin kostot për veprimtarinë në valutë të sistemit bankar.
“Në këtë kuadër miratuam së pari, dokumentin e politikës mbi zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtaritë e sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jo bankare që rregullohen dhe mbikëqyren nga Banka e Shqipërisë. Së dyti, janë miratuar sot disa ndryshime rregullative të cilat finalizojnë punën e zhvilluar gjatë vitit të kaluar për identifikimin, vlerësimin dhe konsultimin me industrinë bankare të disa masave që mbështesin zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar. Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme, pra më pak të preferuar veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve, veçanërisht të atyre individëve të pambrojtur nga rreziku i kursi të këmbimit dhe rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë.”
Raporti i kredive me probleme u ul më tej gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, duke zbritur në 13.2%, niveli më i ulët që nga korriku i vitit 2010. Guvernatori përsëriti edhe njëherë bindjen e Bankës së Shqipërisë se bankat kanë mundësi të lehtësojnë më shumë politikat e kreditimit, edhe falë uljes së kredive me probleme.
“Shërbimi financiar i bankave është në përmirësim të vazhdueshëm. Kjo ecuri dëshmohet nga gjendja e qëndrueshme e likuiditetit, nga ecuria pozitive e treguesve të përfitueshmërisë, si edhe nga reduktimi progresiv i raportit të kredive me probleme. Raporti i kredive me probleme ndaj kredive totale zbriti në nivelin e 13.2% në muajin dhjetor. Në këtë kontekst Banka e Shqipërisë gjykon se ka hapësirë të mëtejshme për faktorizimin e reduktimit të rrezikut të kredisë në lehtësimin e politikave të kreditimit nga ana e bankave të nivelit të dytë.”
Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në 1.25% dhe konfirmoi orientimin se nuk do të ketë rritje të saj, së paku, deri në tremujorin e fundit të këtij viti. Guvernatori Sejko tha se kërkesa agregate ngelet ende e pamjaftueshme për shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë dhe për të mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv.
“Ndonëse me rritje, kërkesa agregate mbetet ende e pamjaftueshme për të shfrytëzuar në mënyrë të plotë kapacitetet prodhuese, sikundër ilustrohet nga fakti se norma e papunësisë mbetet mbi nivelin e saj natyral dhe se bizneset raportojnë një shfrytëzim ende jo të plotë të kapaciteteve. Ky fenomen pengon rritjen e pagave, të kostove të prodhimit dhe të marzheve të fitimit në linjë me objektivin tonë për inflacionin.”
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë theksoi edhe njëherë mesazhin se përshpejtimi i mëtejshëm i ritmit të rritjes ekonomike do të kërkojë thellimin e reformave, të cilat duhet të kenë si qëllim rritjen e eficiencës së ekonomisë dhe të potencialit prodhues të vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.