Trump “braktis” Parisin – Kërkon rinegociata, refuzohet rreptë nga liderët europianë
Presidenti Donald Trump tha se do të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja mbi klimën, e arritur në vitin 2015 në Paris, duke irrituar liderët botërorë dhe krerët e industrive. Trump tha se marrëveshja e Parisit do të përkeqësonte ekonominë e Shteteve të Bashkuara, ulte sovranitetin, dëmtonte vendet e punës dhe do ta vendoste Amerikën në disavantazh me vendet e tjera të Botës. “Ne do të dalim.
Nuk duam që liderë dhe vende të tjera të përfitojnë nga ne. Vendet që i kërkojnë Amerikës që të qëndrojë në marrëveshje janë të njëjtat që sjellin kosto prej triliona dollarësh nëpërmjet praktikave tregtare”, tha Trump duke përmbushur një premtim kryesor të fushatës së tij. Republikanët në Kongres e mbështetën Donald Trump. Ndërsa, ish-presidenti Demokrat, Barack Obama shprehu pendim për tërheqjen nga një marrëveshje ku ai ka qenë një nga themeluesit.
“Edhe në mungesë të lidershipit amerikan, edhe pse kjo administratë po i bashkohet vendeve që mohojnë të ardhmen, kam besim se shtetet dhe bizneset tona do të shtojnë përpjekjet për të ndihmuar planetin për gjeneratat e ardhshme”, tha Obama.
Trump, i cili e konsideron një mashtrim ndryshimin klimatik, tha se administrata e tij do të nisë negociatat për të ri-hyrë në marrëveshjen e Parisit apo për të arritur një dakordësi tjetër, me kushte që nuk cenojnë Shtetet e Bashkuara. Ai shprehu shqetësim ne veçanti për kushtet e rëna dakord për Kinën.
Liderët ndërkombëtar reaguan me zhgënjim. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministri italian Paolo Gentilioni thanë në një deklaratë të përbashkët se marrëveshja nuk mund të rinegociohet dhe bënë thirrje që aleatët e tyre të përpiqen më shumë për të luftuar ndryshimin klimatik dhe të përshtaten pa Amerikën.
Kryeministri i Kanadasë dhe i Kinës, që është vendi emetues më i madh i gazrave ndotës, reaguan duke thënë se do të qëndrojnë të angazhuar në luftën kundër ngrohjes globale. Madje edhe zv/kryeministri i Rusisë, Arkady Dvorkovich përsëriti mbështetjen nga Rusia për marrëveshjen e Parisit.
Siria dhe Nikaragua janë të vetmet vende që nuk kanë marrë pjesë në marrëveshjen e nënshkruar nga 195 vende në Paris gjatë 2015-ës. Ndër liderët amerikan të biznesit që kundërshtuan lëvizjen e presidentit ishin krerët e Goldma Sachs, Tesla, Walt Disney, Apple, General Electric, etj.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.