Trump flet për reformën tatimore – Ofron pak detaje, pritet “beteja” në Kongres
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti fjalimin e pare të përqendruar vetëm te reforma tatimore.
Trump përsëriti thirrjen e tij për uljen e taksës së korporatave në 15% nga 35%, në një kohë kur politikëbërësit thonë se maksimumi që mund të arrihet është një normë prej 25%.
Ai tha se do të ulë taksat dhe do të thjeshtësojë kodin tatimor për klasën e mesme. Megjithatë, presidenti ofroi shumë pak detaje dhe reforma tatimore do të jetë një detyrë tejet e vështirë në Kongres.
“Ne duhet të reduktojmë normën tatimore për bizneset amerikane në mënyrë që këto t’i mbajnë vendet e punës në Amerikë, të krijojnë vende të reja pune në Amerikë dhe të konkurrojnë për punëtorë në Amerikë”, tha Donlad Trump në fjalimin e tij të parë presidencial të përqendruar vetëm mbi reformën tatimore, që ka qenë një nga pikat kryesore të fushatës së tij.
Demokratët dhe Republikanët në Kongres, thonë se reforma tatimore është e nevojshme, por objektivi republikan për të miratuar ligjin këtë vit përballet me një betejë në Kongres, duke marrë parasysh dështimin e kalimit të reformës mbi shëndetësinë.
Analistët thonë se ka shumë pak mundësi që Kongresi të veprojë deri në fund të 2017-ës.
Trump tha se ulja e taksave për bizneset do të sjellë paga më të larta për punëtorët, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke bërë kompanitë amerikane më konkurruese.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.